Borusia e Dortmundit do të udhëtojë drejt Mynihut, pasi në “Allianz Arena”, do të luhet sfida e sezonit në Gjermani kundër Bajernit. Të besuarit e Lusien Favre janë në krye të renditjes, me dy pikë më shumë se Bajerni, por në rast se mposhten nesër, titullin do e kishin sërish në dorë bavarezët.
Përveç kundërshtarit shumë të fortë, trajnerit të Dortmundit do t’i duhet të shqetësohet edhe për mungesat e shumta. Lojtari më i rëndësishëm dhe golashënuesi i skuadrës, Pako Alkaser, vuan nga një dëmtim në dorë dhe nuk do të jetë i gatshëm për këtë sfidë, raporton “Bild”.
Dy emrat e tjerë që do të mungojnë në sfidën kundër Bajernit janë Kristian Pulisiç dhe Rafael Guerrero, të dy lojtarë shumë të rëndësishëm për verdhezinjtë. Favre duhet të ndërtojë një formacion pa këta tri lojtarë dhe duhet të shmangë medoemos humbjen, në mënyrë që titulli të jetë në duart e tyre.