Puna e Gentian Mezanit te Luftëtari është vështirësuar shumë për shkak të mungesës së terreneve për të punuar normalisht me skuadrën. Trajneri vlonjate ka folur për problematikat e bluzinjve dhe si fillim ka komentuar përgatitjet që po bëhen momentalisht.
“Terreni i vështirë dhe situata e krijuara këto ditë në qytetin e Gjirokastrës nuk na ka mundësuar kushtet që duhen për një skuadër profesioniste gjatë fazës përgatitore. Do vazhdojmë këtu punën, këtë konfirmim kemi marrë nga drejtuesit. Gjërat janë të vështira dhe nuk kemi arritur të realizojmë atë që duhet. Duhet të kishim bërë dyfishin e seancave stërvitore. Kemi punuar në palestër dhe në pallat sporti, gjë që nuk është e përshtatshme për një skuadër futbolli. E shikoj të vështirë, por shpresoj që koha të na lejojë të punojmë normalisht në Gjirokastër”, shprehet fillimisht Mezani për “RTSH Sport”.
MERKATO – Më tej trajneri i Flamurtarit ka folur edhe për lëvizjet që pret: “Skuadra pa diskutim që është dobësuar, pasi kanë ikur dy lojtarë kryesore. I vetmi afrim është Fili, i cili mendoj se do na ndihmojë. Është e nevojshme që të kemi edhe afrime të tjera, pasi sulmi ëshët dobësuar dhe normalisht që na duhet një lojtar që të na ndihmojë në pasin final. Kjo i mungoi skuadrës gjatë kohës që Rroca ishte i dëmtuar. Shpresoj që shumë shpejt ato 2-3 afrime që kam kërkuar të vijnë me grupin dhe integrohen sa më shpejt me lojën tonë”.
PAGAT E PRAPAMBETURA – Fiancat janë tema tjetër për të cilën Mezani flet: “Nuk dua të futem te pjesa e financës. Padyshim që pagesat janë të rëndësishme, kemi marrë konfirmimin nga drejtuesit që çdo gjë do të jetë në rregull. Kjo gjë nuk na tundon momentalisht, terrenet që po na kushtëzojnë janë problemi kryesor”.
DORËHEQJA E MENDUAR – Mezani ka konfirmuar se vetëm rezultatet mund ta bëjnë të ikë nga Luftëtari: “Vazhdimësia e një trajneri janë rezultate në fushën e lojës. Kemi pasur probleme rezultatesh, por jo deri në atë pikë sa të vë në diskutim të ardhmen time. Normalisht terrenet dhe mungesa e fazës do ndikojnë në fillimin e kampionatit. Do na i vështirësojë shumë punët në ndeshjet e para. Nëse rezultate nuk vijnë, atëherë vihet vetë në diskutim vazhdimësia te Luftëtari. Marrëdhëniet me drejtuesit i kam korrekte, kemi kontakte të përditshme”.
HETIMI NGA UEFA – “Nuk shqetësohemi për atë pjesë, duam dhe duhet të bëjmë punën tonë më së miri për vazhdimësinë. Nëse mendojmë për atë, do bëhet gjithçka më e vështirë. Na mjaftojnë problemet me terrenet”.