Dorëheqja e Tomorit vetëm maja e “ajsbergut”, Partizani zien

Presidenti takim me përfaqësuesin e trajnerit serb. Tomori publikon dorëheqjen pas bisedës me presidentin, por… “Largohem edhe për arsyen se italiani është emëruar në këtë post”

Pas disa muajsh mund të flasim edhe për epokën para Moxhit dhe epokën pas Moxhit, por dy fakte janë kokëfortë për momentin: 1 – Italiani po bën ligjin dhe i janë besuar çelësat e klubit. 2- Revolucioni sapo ka nisur…, ah po, do të ketë edhe shkopinj rrugës. Garda e vjetër kundër së resë.

Moxhi ka nisur ndërtimin e klubit nga administrata dhe rolet e secilit. I pari që është bërë “kokë turku” nga duart e tij është ish-drejtori i Përgjithshëm Genc Tomori. Ditën e djeshme, Tomori dha dorëheqjen në një komunikim zyrtar për medien e shkruar pas ndeshjes. Ish-zyrtari i kuq deklaroi se mbante përgjegjësitë për humbjen e ekipit, por në të vërtetë kjo ishte maja e ajsbergut, pasi e pranoi edhe vetë se pas ardhjes së Moxhit pozicioni i tij ishte “zënë”.

DORËHEQJA DHE ARSYET E TOMORIT – Nuk jemi naivë! Genc Tomori dha dorëheqjen, por jo nga humbja, pasi nuk mban përgjegjësi Drejtori i Përgjithshëm për të. Roli i tij në klub ishte venitur dhe vetëm në letra, pasi në të vërtetë Drejtor i Përgjithshëm ishte Moxhi. Të kuqtë e bënë edhe pa takt, pasi vetë trajneri Starova përsëriste me të madhe në medie se këshilltari i presidentit ishte graduar si drejtor. Po Tomori, ku mbeti? Epo, ish-zyrtari i kuq i dha vetë përgjigje kësaj pyetje, ishte anashkaluar nga posti pa një njoftim zyrtar. Një klub nuk mund të mbajë dy drejtorë të përgjithshëm dhe natyrisht “garën” mes të dyve e fitoi italiani pa start…

PRONONCIMI – Tomori kërkoi vetë të fliste pas ndeshjes edhe pse Edmond Haxhija dhe pjesëtarët e tjerë të klubit, po mundoheshin ta ndalonin. Ish-drejtori i kuq i largoi të gjithë dhe kërkoi vëmendjen e medieve. “Ju thirra pasi jap dorëheqjen nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm. Kam folur edhe me presidentin Demi dhe ja kam komunikuar vendimin tim”, – u shpreh ai. I ngacmuar për faktin se emri i Moxhit në këtë post edhe pse ai ishte në krye të detyrës e detyroi të merrte këtë vendim, ai tregohet i sinqertë. “Po edhe kjo është”, – përgjigjet shkurtimisht ai. Tomori nuk e di se çfarë roli do të ketë te Partizani dhe nëse do të vazhdojë në jetë pjesë e klubit. “Nuk e di çfarë roli do të kem. Ndoshta do të kthehem te akademia, ndoshta largohem krejt nga klubi. Duhet të flas me presidentin Demi”, – përfundon Tomori.

Garda e vjetër, kundër gardës së re?

“Këshilltari është më i rëndësishëm dhe më lart se roli i drejtorit”, – shprehej Starova para pak ditësh. Këtë rol e ka pasur këshilltari Luçiano Moxhi, por rokada ka ndodhur dhe ai u emërua si Drejtor i Përgjithshëm. Për publikun e jashtëm është ngritje në detyrë, ndërsa nuk e koncepton kështu Sulejman Starova. Ai do të jetë më i madh se Moxhi, pavarësisht se deklaron se italiani ka çelësat dhe do të bëjë merkaton. Mungesa e afrimeve dhe ekipi i dobët indirekt shigjetohet drejt tij. Mos vallë kanë filluar gërricjet e para?
Situata të tilla nuk janë për herë të parë te Partizanit. Përplasjet e Starovës me Dervishin në pozita drejtuese te klubi kryeqytetas janë akoma të freskëta.
Largimi i Genc Tomorit (“i dorëhequr”) dhe pasimi i tij nga Starova (“me dashamirësi”) nuk mund të lejë të kënaqur gardën e vjetër drejtuese te Partizani. Kush është ai që do të donte të zëvendësohej nga të tjerë në rolin e tij? Askush!
Moxhi, pavarësisht se u prit me “karamele”, nuk i hëngri ato dhe nisi spastrimet. Ai erdhi me paketën e tij. Drejtor i Përgjithshëm, zëvendësdrejtor dhe trajner… Tredhëmbëshi Tomori-Starova-Haxhija e pa veten jashtë loje. Hallka e parë u këput. I dyti është rrugës, ndërsa i treti nuk dihet se çfarë roli ka. Deri vjet ishte si Drejtor Sportiv, kështu thonë tifozët e kuq. Tashmë mbetet të shihet se si do të sillen punët. E dimë se përgënjeshtrimet nuk do të vonojnë, por fakti ka treguar se “demat” kanë vuajtur jo pak luftën brenda llojit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *