Liria mbyll serinë e miqësoreve në Shqipëri dhe sot barazoi 3-3 në “Selman Stërmasi”, ashtu si para pak ditësh në Pezë-Helmës. Spektakël e gola, por edhe gabime në aspektin mbrojtës, mes dy skuadrash që në sulm duken shumë mirë.
Në fakt, te Tirana heroi ishte mbrojtësi Doka, autor i dy golave, në minutat 21 e 53. U duk fitore bindëse e Tiranës, por në 25 minutat e fundit nisi spektakli i Lirisë së Bledi Shkëmbit.
Në të 66-n Gavazaj shkurtoi, në minutën e 77-të sulmuesi në superformë Korenica barazoi dhe Artur Magani në minutën e fundit të kohës së rregullt kaloi miqtë nga Prizreni në avantazh. Megjithatë, Uellison barazoi shifrat një minutë më vonë, duke sigluar barazimin e dytë rresht 3-3 në Shqipëri për Lirinë.