Për Ze Marian dita e sotme ishte speciale. Feston 45-vjetorin e lindjes dhe ekipi i bëri dhuratë një fitore 2-0 kundër Apolonisë në miqësore. Pas ndeshjes ishte përgatitur edhe një surprizë, teksa lojtarët e mbuluan në miell trajnerin e tyre.
“A pres ndonjë dhuratë? E mora sot një. Tani pres që ekipi të jetë sa më shpejt i plotë”, u shpreh Ze Maria për mediat pas takimit me fierakët. Ai e pranon se kanë punë për të bërë: “Normalisht që jemi prapa pas gjithë kësaj periudhe pushim. Dy javët e fundit kanë qenë intensive në aspektin fizik. Dallohet që kemi kualitet”.
Blazhevski dhe Hasani shënuan dy golat e ndeshjes dhe Ze Maria komenton rreth tyre: “Janë lojtarë me kualitet. Hasani ka kryer vetëm një seancë, kurse Blazhevski është që në fillim me ekipin dhe është impenjuar shumë gjatë përgatitjeve. Nuk është as në karakteristikat e tij të luajë me intensitetin që kemi ne. Është e rëndësishme t’i shohësh duke sakrifikuar”.
Trajneri i bardhebluve foli edhe për gjendjen e lojtarëve të tjerë: “Kobinah dhe Atinga kanë tre seanca me ne. Të gjithë janë mbrapa me përgatitjet. Mauxhe po stërvitet mirë, pasi e njeh mënyrën tonë të punës. Lojtarët e sezonit të shkuar kanë nivel disi më lartë”.
SULMI – “Na duhet një sulmues qendre, sot vjen Junus Sentamu. Majkëll Ngo po punon, por po presim edhe një tjetër. Edhe me këto që mungojnë, mendoj se jemi një ekip që mund të luftojmë. Luftë apo titull? Do bëjmë më të mirën, për skuadrën, për historinë, për tifozët, do luftojmë gjithmonë për fitore në çdo ndeshje. Barazimi nuk është opsion për ne, por nuk do të jetë e lehtë. Jemi në një kategori tjetër”.