Pas Kupës është radha e sfidave të kampionatit, që zhvillohen të gjitha të shtunën. Oraret do të jenë ndryshe, tani do të luhet në 16:00 dhe 19:00. Sfidat e para të javës së 27-të janë Laçi-Teuta e Kastrioti-Kukësi. Më pas në program janë Partizani-Luftëtari dhe Flamurtari-Tirana, që “i japin dorën” fazës së tretë të Kategorisë Superiore.
Superiore zbarkon në fushë sot dhe janë katër përballje në plan. Gjithçka nis prej orës 15:45 dhe luhet për objektiva të ndryshme. Laçi, që do të ketë mungesa të rëndësishme, pret Teutën dhe me ndihmën e tifozëve kërkon t’i kalojë me sukses durrsakët e vendit të tretë. Barazimi i shkon për shtat ekipit të drejtuar nga Bledi Shkëmbi.
Pak kilometra më tutje, në stadiumin “Redi Maloku”, Kastrioti e Kukësi kërkojnë pikë jetike. Krutanët për mbijetesën, ndërsa verilindorët për të ushtruar presion te Partizani kryesues, që luan pak orë më vonë, konkretisht duke nisur nga ora 18:45.
Luftëtari është rivali i tyre. Gjirokastritët u treguan në 180 minuta në Kupë që mund t’u hapin punë. Sigurisht është një tjetër melodi, por me bluzinjtë që nuk e tërheqin një këmbë pas. Në Vlorë luhet një përballje mjaft interesante. Flamurtari, këtë herë më i plotë, synon të ruajë vendin e katërt dhe pse jo të ngushtojë diferencën me Teutën. Nga ana tjetër, kundërshtari i tyre, Tirana është në një moment jo të mirë dhe i ka domosdoshmëri pikët. Një finale.
Sa i takon arbitrave që do të gjykojnë këto përballje, FSHF a vendosur t’i mbajë emra sekret. Ndryshe nga se ka ndodhur më parë, nga ky moment nuk publikohen më emrat e atyre që do të vendosin drejtësi në përballjet e elitës së futbollit shqiptar.
KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 27
E shtunë, më 6 prill 2019
Ora 15:45| Laçi-Teuta
Ora 15:45 | Kastrioti-Kukësi
Ora 18:45 | Partizani-Luftëtari
Ora 18:45 | Flamurtari-Tirana