Dita firmos dhe prezantohet sot: Ja pse zgjodha Skënderbeun!

Leonard Trebicka

Intervistën e parë dhe ekskluzive, ashtu si Donjet Shkodra, mesfushori Bruno Dita e ka dhënë për “Sport Ekspres”. Në seancën e pasdites kryeqytetasi do të jetë nën urdhrat e Dajës, pasi të ketë bërë prezantimin si bardhekuq. Prej disa ditësh, bashkë me familjen, Dita po kalonte pushimet në Antalia dhe sot, në orët e para të mëngjesit, është nisur drejt Sllovenisë. Ai është blerja e dytë e verës për Skënderbeun dhe shprehet shumë i emocionuar për zgjedhjen që ka bërë. Ja intervista e plotë e 24-vjeçarit:  

– Dita, kur do të prezantoheni me ekipin tuaj të ri në Slloveni?

– Jam në Turqi prej disa ditësh, pasi pushova gjatë kësaj periudhe me familjen time. Në mesnatë do të nisem për në Slloveni dhe gjatë paradites besoj se do të jem pranë ekipit tim të ri, ku do të bëj fillimisht prezantimin.

– Si ndjeheni tani që jeni pjesë e Skënderbeut dhe përse zgjodhët pikërisht këtë ekip?

– Ndjesia është shumë e mirë. Këto vitet e fundit dhe këtë nuk e them vetëm unë, Skënderbeu është skuadra është më e mirë në futbollin shqiptar. Dhe tashmë unë ëndrrën e bëra realitet, pasi jam pjesë e tij. Zgjodha të jem pjesë e Skënderbeut, duke parë edhe këmbënguljen e drejtuesve të tij. Patjetër që edhe dëshira ime e madhe bëri të zgjidhja këtë ekip.

– Sa njohje ka Dita për Skënderbeun dhe për futbollistët e tij?

– Shpresoj shumë të gjej një ambient të mirë dhe të këndshëm për të punuar. Sigurisht, te Skënderbeu kam edhe shumë shokë dhe shpresoj të ambientohem shumë shpejt. Mezi po pres që nesër (sot) të jem në Slloveni me Skënderbeun.

– Para se të vendosnit përfundimisht për të qenë pjesë e Skënderbeut, e morët parasysh konkurrencën dhe i trembeni asaj?

– E di shumë mirë që ka konkurrencë, por çdo futbollisti kjo gjë i bën mirë. Edhe mua më bën shumë mirë, që të jem në një ekip me konkurrencë, sepse kështu rritem profesionalisht. Edhe për këtë arsye zgjodha të vishem bardhekuq. Nuk i trembem aspak dhe do të bëj ç’është e mundur për të dhënë maksimumin tim, në mënyrë që ekipi të arrijë objektivat.

– Skënderbeu luan në Europa League. Si e mendoni përfaqësimin e tij në Europë?

– Shpresoj ta përsërisim suksesin e dy viteve më parë, pasi ishte diçka e bukur, që bëri krenarë gjithë shqiptarët. Sigurisht, këtë herë është e vështirë, pasi duhet të kalojmë 4 ture, por asgjë nuk është e mundur. Do ta provojmë deri në fund.

– Cilat janë marrëdhëniet tuaja me trajnerin Daja, po me presidentin Takaj?

– Me trajnerin Ilir Daja kam punuar edhe më parë dhe kam respekt shumë të madh për të si njeri në radhë të parë dhe më pas si trajner. Me presidentin Ardjan Takaj njihem gjatë këtyre viteve të fundit, por do ta njoh më shumë tani që jam pjesë e Skënderbeut të tij.

– Nesër, kur të jeni pranë ekipit në Slloveni, me kë do të donit ta ndanit dhomën?

-(Qesh) Për momentin nuk e di, pasi ekipi ka shkuar tashmë atje.  Dua të them se rri me të gjithë, pasi pjesën më të madhe i njoh. Nuk ka individë, por ka grup, ka një skuadër.

– Së fundi, cili është premtimi i Ditës për “ujqërit e dëborës”?

– Kam një premtim, jo vetëm për “ujqërit e dëborës”, por për të gjithë ata që më besuan; do të jap maksimumin për t’i bërë të lumtur tifozët, duke arritur objektivat madhorë që ka ky klub i madh.   

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *