E ardhmja e Elseid Hysajt është një dilemë e madhe. Mbrojtësi shkodran e ka humbur vendin e titullarit te skuadra e Napolit, ashtu si dhe negociatat për rinovim kanë ngrirë. Nga një lojtar i cili konsiderohej i paprekshëm, tashmë gjithnjë e më shumë flitet për një largim të tij.
Menaxheri i Elseid Hysajt, Mario Xhufredi, ishte mjaft i qartë pak ditë më parë, kur u shpreh se e ardhmja e mbrojtësit kuqezi duhet të qartësohet sa më parë, për të kuptuar nëse skuadra napolitane dëshiron shërbimet e anësorit, apo Hysaj duhet që të shohë për një tjetër destinacion.
Sarri ka dashuri pa kushte për Hysajn dhe e kërkon prej kohësh ta marrë në Londër. Sot mund të mësohet diçka më shumë sa i përket të ardhmes së Hysajt, pasi siç shkruan sajti i Alfredo Pedullas, drejtuesit e klubit dhe përfaqësuesit e lojtarit do të takohen për të qartësuar se çdo të ndodhë me futbollistin e Kombëtares kuqezi.
Situata mbetet e paqartë, por duke parë sjelljen e klubit në ndeshjet e fundit gjasat janë që merkato e janarit të rezervojë një shtëpi të re për Hysajn.