Sulejman Starova ishte protagonist në ndeshjen e fundit me Flamurtarin, për shkak të sjelljes së tij të papërmbajtur, teksa në sekondat e fundit të kohës shtesë u përplas me gjyqtarin Enea Jorgji, pasi ky i fundit akordoi 11-metërsh për ekipin e Partizanit. Tekniku i Partizanit e ka një sjellje të përsëritur, pasi edhe në Kukës, për të njëjtin precedent ishe subjekt i Komisionit të Disiplinës. Duke qenë se është diçka e përsëritur, Komisioni i Disiplinës ka vepruar me “dorë të hekurt” duke e dënuar Starovën me 8 ndeshje pezullim. Një vendim i rëndë ky për timonierin e të kuqve, i cili për gati një fazë nuk i lejohet që të drejtojë skuadrën nga fusha gjatë ndeshjeve zyrtare.
Edhe mbrojtësi i Skënderbeut Marko Radas u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e fundjavës së shkuar me Luftëtarin dhe gjithashtu është dëbuar me 2 ndeshje pezullim. Edhe pse duket qesharake, Radas mund të jetë ën fushë që në ndeshjen e kësaj jave, pasi një nga ndeshjet po e shlyen ditën e sotme në takimin e Kupës me Teutën dhe në rast se paguan gjobën prej 1 milion lekësh do të jetë në dispozicion të teknikut Ilir Daja.
Po ashtu edhe Lushnja është gjobitur me 2 milion lekë të vjetra gjobë, për shkak të sjelljes së tifozëve në transfertën e Durrësit.
Vendimet e Komisionit të Disiplinës
-Zyrtari i KF “Partizani”, Sulejman Starova, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarit të ndeshjes dhe për përsëritje të shkeljeve disiplinore, në bazë të nenit 40/1 dhe 49/2/a) të KDS, dënohet me 8(tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
– Lojtari i KF “Skënderbeu”, Marko Radas, për sjellje ofenduese dhe fair-play, në bazë të nenit 56/1.a) të KDS, dënohet me 2(dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti dhe gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
– KF “Lushnja”, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke shkaktuar ndërprerjen e ndeshjes, në bazë të nenit 66/2 të KDS,dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë.
– Zyrtari i KF ”Flamurtari” U-17, Sherif Idrizi, për protesta ndaj vendimeve te zyrtarit te ndeshjes, në bazë të nenit 56/1.a) të KDS, dënohet me 2(dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti dhe gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë. Në zbatim të nenit 136/1/b) të KDS, gjoba aplikohet në masën 3%.