VIDEO | Vrulli i fillimit mjafton, Tirana pranë kualifikimit

Tirana ia ka dalë të fitojë me Flamurtarin me rezultatin e pastër 2-0, çka i bën bardheblutë favoritë absolutë për të kaluar në fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Bardheblutë kanë shënuar shumë shpejt dhe më pas Flamurtari nuk ka pasur forcën e duhur për të reaguar.

Majkëll Ngo tregoi se Tirana nuk ka nevojë për sulmues tjetër, pasi anglezi e nisi vitin me gol. Gjiganti i bardhebluve nuk gaboi brenda zonës në momentin e parë që iu paraqit dhe e mposhti portierin Koliçi, i cili më parë ishte treguar i saktë me ndërhyrjet e tij.

Tre minuta më pas ishte Hoxhallari, ai i cili me një goditje nga distanca arriti të thyejë portierin pogradecar për të dytën herë. Mbrojtësi i majtë gjuajti fort dhe portieri i vlonjatëve nuk e kontrolloi dot topin. 0-2 dhe më pas gjithçka bëhej më e vështirë për kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Ilir Daja.

Në fraksionin e dytë të lojës pati disa raste sporadike dhe Flamurtari mund të shënonte, ashtu sikurse edhe Tirana. Gjithsesi nuk ndodhi diçka e tillë. Nuk mungoi në ndonjë moment edhe tensioni. Përfundimi i takimit nxori Tiranën fituese dhe kualifikimi do të vendoset pas dy javësh në Vlorë.

SI U NDËRPRE NDESHJA – Tirana dhe Flamurtari po përballeshin mes tyre në ndeshjen e turit të dytë të Kupës së Shqipërisë, por takimi është ndërprerë pas vetëm 25 minutash lojë. Shkak u bë rëndimi i terrenit prej reshjeve të shiut. Arbitri Kreshnik Bajramaj u konsultua me zyrtarët e ndeshjes, teksa takimi u ndal në të 21’.

Ekipet provuan edhe një herë tjetër të luanin, por ishte e pamundur. Në kushtet e krijuara u vendos që më e mira do të ishte të ndërpritej takimi dhe pjesa tjetër e tij të luhej ditën e sotme. Konkretisht 65 minutat e mbetura.

Gjatë minutave të luajtura dje nuk u shënua asnjë gol, edhe pse Tirana kishte mundësinë të realizonte me penallti. Koliçi me këmbë priti goditjen e Edon Hasanit në minutën e 11-të, ndërkohë që ka pasur kontestime për penalltinë dhe për një karton të kuq të pretenduar në dëm të Hoxhallarit.

KUPA E SHQIPËRISË – TURI I DYTË
23-24 janar, ora 13:00 | Stadiumi “Selman Stërmasi”, Tiranë

TIRANA-FLAMURTARI 2-0
Shënues: Ngo 37′, Hoxhallari 40′

Tirana: Abibi, Kërçiku (Doka 69′), Turtulli, Imami, Hoxhallari, Maveje, Karabeci, Hasani, Halili (Muçi 75′), Greca, Ngo. Trajner: Ardian Mema

Flamurtari: Koliçi, Siljanovksi (Liçaj 63′), Deliaj, Pollozhani, Kotobelli, Mustafa (Beqaj 70′), Batha, Useini (Rapaj 80′), Torasa, Musta, Bushiç. Trajner: Ilir Daja

Gjyqtarë: Kreshnik Bajramaj, Dojando Myftari, Mario Shazivari, Kridens Meta
Delegat: Lysien Nyrishmi; Vëzhgues: Plarent Kotherja

Karton i verdhë: Hoxhallari 13′, Karabeci 73′, Hasani 85′ / Useini 43′, Deliu 49′, Torasa 85′

EPISODET –

81′ – Kros në zonën e Tiranës, pas një devijimi topi shkoi te Emiljano Musta. Ky i fundit, i ndodhur pranë portës, e devijoi topin, që shkoi jashtë. Mundësi e mirë shënimi

62′ – Ngo pranë portës nuk ia doli ta dërgonte topin në kuadrat. Sulmuesi shtatlartë ishte në pozicion të vështirë.

47′ – Batha ekzekuton një goditje dënimi, Abibi e devijon topin dhe Mustafa i ndodhur pranë gjuan jashtë kuadratit.

40′ GOL– Hoxhallari nga distanca befason, portierit Koliçi i shpëton topi nga duart. Gol mjaft i bukur pas gjuajtjes potente të mbrojtësit të majtë.

37′ GOL – Majkëll Ngo me një goditje brenda zonë mposhti portierin Koliçi. Topi i hedhur në zonë nga Kërçiku nuk u largua si duhet dhe sulmuesi anglez përfitoi dhe shënoi

26′ – Dalje e mirë e Tiranës, Greca në zonë u ndal nga portieri Koliçi. Ky i fundit e zgjidhi mjaft mirë situatën e vështirë që u krijua.

DJE | 21′ – Arbitri ndërpret lojën, reshjet e shiut kanë rënduar ndjeshëm fushën. Pas dy minutave ekipet zbritën në fushë dhe e provuan, por ishte e pamundur të luhej. Në minutën e 25-të ekipet lanë fushën e blertë.

11′ – penallti në favor të Tiranës, mesfushori Edon Hasani nuk u tregua i saktë. Koliçi me këmbë devijoi topin dhe shmangu golin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *