Artim Pollozhani, kur u transferua te Flamurtari, u prit jo mirë nga tifozët. Asokohe 35 vjeç, mesfushori që kish nisur të bënte qendërmbrojtësin te Shkëndija e Tetovës fitoi dalëngadalë zemrat e tifozëve. Paraqitjet e mira bënë që të mbronte ngjyrat kuqezi për dy sezone.
Tashmë atij i është ofruar posti i drejtorit sportiv te Flamurtari, por ende e “josh” ideja për të luajtur. Edhe pse 37 vjeç, ofertat nuk i kanë munguar. Trim & Lum Struga, që do të luajë në elitën e futbollit maqedonas, i bëri një ofertë. Mes palëve nuk pati akord.
Së fundmi për Pollozhanin po diskutohet në një tjetër klub të Superiores dhe brenda kësaj jave edhe mund të ketë një vendim. Emri i mbrojtësit është në tavolinë dhe pritet të mësohet se çfarë do të ndodhë. Në këtë mënyrë edhe vazhdimësia e Pollozhanit, si drejtor sportiv, te Flamurtari vihet në dyshim.