Dikur i kërkonte foto, tani asiste! Kutrone-Higuain i bashkon Milani

Gonzalo Higuain dhe Patrik Kutrone janë dy sulmuesit kryesorë të Milanit. 10 vjet diferencë midis tyre, por në fushë duket sikur kanë vite që luajnë bashkë. Ndeshja po shkonte drejt barazimit dhe luhej minuta e 95′. Argjentinasi dhuroi një top të artë për 20-vjeçarin dhe ky i fundit e dërgoi në rrjetë duke shpërthyer festën në San Siro dhe duke i dhuruar kuqezinjve tre pikët e para në kampionat.

Ata nuk kishin luajtur kurrë bashkë, por ishin takuar më parë. Higuain ishte pjesë e Napolit dhe po përgatitej për transfertën me Empolin, ndërsa Kutrone pjesë e Italisë U17. Takoheshin në Koverçiano dhe Patrik nuk hezitonte t’i kërkonte një foto sulmuesit argjentinas, të cilin e quante fenomen në komentin e fotos së publikuar në rrjetet sociale. Sot ata luajnë bashkë dhe janë gati për t’iu dhuruar mbrëmje të tjera magjike tifozëve të “Djallit”, me golat e tyre.

Dikur Kutrone i kërkonte foto Gonzalos, ndërsa mbrëmë ky i dhuroi pasimin e golit të fitores. Tifozët ëndërrojnë dhe janë të lumtur me harmoninë midis dy sulmuesve: i madhi, klas, efikasitet dhe nga më të fortët në botë në rolin e tij, ndërsa i vogli më një të ardhme të ndritur, pasion, sakrificë dhe sens goli, që të kujton një tjetër sulmues të madh, i cili sot ndodhet në pankinën e Bolonjës.

Milani kishte vite pa një sulmues të fortë në ekip, ndërsa sot ka dy të tillë. I takon Gatuzos të bëjë zgjedhjet, por tifozët do të preferonin t’i shihnin gjithmonë bashkë në fushë duke luftuar, shënuar gola dhe rikthyer Milanin aty ku i takon.

https://www.instagram.com/p/2EeNsYCiu0/?utm_source=ig_embed

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *