Flamurtari në krizë të jashtëzakonshme dhe nëse vitet e shkuara “valixhet” e famshme me para nga Turqia kanë bërë mrekullinë në limit, këtë radhë në Vlorë nuk ka më asnjë shpresë.
Sinan Idrizi nuk pranon të hedhë më asnjë euro te Flamurtari, nëse bashkia nuk i shlyen detyrimet dhe nuk i hap rrugën privatizimit, ndërsa futbollistët nuk paguhen prej muajsh.
Busic e Siljanovski u larguan sepse nuk pranuan më premtime, titullarët e tjerë besuan tek Idrizi, i cili u kërkoi që ta prisnin deri në 2 shkurt.
Premtimi kaloi, deri të dielën në mbrëmje futbollistët nuk kanë marrë asnjë mesazh pozitiv, ndaj të hënën nis eksodi.
Disa prej lojtarëve kryesorë të ekipit kanë oferta të rëndësishme nga Europa e Azia dhe tashmë nuk kanë ndërmend të presin më, ashtu si trajneri Ilir Daja, i dorëzuar tashmë. Ky i fundit pritet të dorëhiqet para ndeshjes kundër Tiranës, në Kupën e Shqipërisë.
Muhamed Useini do të largohet drejt Maqedonisë, për të firmosur aty, sepse merkatoja është e hapur.
Agustin Torasa dhe Albi Alla do të shkojnë gjithashtu në FSHF për të prishur marrëveshjen me Flamurtarin, pasi klubi refuzon t’u japë dokumentet. Të dy kanë ofertë nga Kina dhe pritet të nisen në ditët e ardhshme.
Po ashtu, Idriz Batha ka oferta nga disa kampionate nëpër Europë, ndërkohë që edhe Elton Cale pritet të largohet, i dëshpëruar, sepse është një nga ata lojtarë që në Vlorë nuk kanë parë asnjë euro, edhe pse ka dhënë gjithçka në pak ndeshje që ka luajtur.
Katastrofë, nuk ka fjalë tjetër, për një klub legjendar, të menaxhuar në mënyrë skandaloze këto vitet e fundit dhe të lënë në mëshirë të fatit nga bashkia dhe shteti shqiptar.