Eusebio Di Françesko është i mërzitur dhe i zhgënjyer për humbjen përballë Milanit. Verdhekuqtë e Romës kanë marrë vetëm një pikë në dy ndeshjet e fundit me Atalantën dhe kuqezinjtë. Ekipi është i luhatur dhe krijon pasiguri. Gabime individuale dhe nisje e dobët e ndeshjeve. Trajneri i Romës fajëson dhe vetën për gabimet e bëra në formacionin e ekipit.
“Humbëm për shkak të një episodi, por në golin e dytë të pësuar u treguam naivë. Nuk jemi të kthjellët në këtë moment dhe na mungon freskia fizike dhe mentale. I dhurojmë shumë kundërshtarit, siç bëmë me Atalantën. Duhet të reflektojmë, sepse kam përshtypjen që e nisim gjithmonë ndeshjen me frena dore, ndërsa në pjesën e dytë rritemi.
Mbrojtja me tre? Synova t’i jepja siguri dhe kompaktësi repartit të mbrojtjes, por shkoi keq. Duhej të ishim më të aftë për të shfrytëzuar hapësirat që na dha Milani.
Preferova t’i jepja forcë fizike repartit të sulmit me aktivizimin e Shik dhe mendova të aktivizoja Under gjatë ndeshjes. Sistemi i zgjedhur nuk na dha rezultatet e pritura dhe unë jam fajtor për zgjedhjet e bëra”, përfundon trajneri 48-vjeçar i Romës.