Asambleja e Përgjithshme 2019 po kryen punimet ditën e sotme dhe të pranishëm janë anëtarë të Federatës Shqiptare të Futbollit, si dhe presidenti Armando Duka. Pikërisht ky i fundit mori fjalën, ku foli për dhunën, trukimet dhe stadiumet.
Në fjalën e tij ai theksoi se sistemi i Licencimit duhet riparë dhe nuk mund të mbyllet me njëri sy, apo të dy. Impiantet, sikurse u shpreh Duka, duhet të jenë në nivelet e licencimit dhe në vazhdim nuk do tolerohet më.
Eliminimi i dhunës është një tjetër mision dhe ndaj këtij fenomeni nuk do të ketë tolerojë. Gjithsesi kreu i FSHF tha se ky fenomen do luftohet në bashkëpunim në të gjithë faktorët. Dënimi i individëve që shkaktojnë dhunë shihet si një mënyrë për ta luftuar dhunën.
Fiksimi i ndeshjeve vazhdon dhe Duka e pranon. “Ky fenomen vazhdon të ekzistojë pavarësisht punës së madhe të bërë nga ne. Nuk është gjetur mbështetja e institucioneve. Do kërkojmë bashkëpunimin e prokurorisë. Të gjitha këto dëmtojnë investimet tuaja”, përfundoi Duka.