Dhrami: Koha e të rinjve tek Oriku, ne jemi gati!

Skuadra e Orikut e realizoi objektivin dhe në fazën e tretë po përfaqësohet nga futbollistë të rinj, të cilët drejtuesit i kanë menduar si alternativa për sezonin e ardhshëm. Këtë e konfirmon edhe kapiteni Arbër Dhrami, i cili theksoi për SportEkspres.com se pjesa më e madhe e futbollistëve që luajtën titullarë në dy fazat e para, këtë fazë pak do të aktivizohen.

“Klubi ynë ka vendosur që në fazën e tretë të ketë më shumë përfaqësim me lojtarë të rinj, të cilët mendohen të jenë alternativa të Orikut për sezonin e ardhshëm. Të gjithë ne që luajtëm si titullarë në dy fazat e para jemi të gatshëm në çdo situatë”, theksoi kapiteni i Orikut, Arbër Dhrami.

Ndërkohë, ditën e shtunë prej orës 15:00, Oriku do të zhvillojë një miqësore luksi me Teutën në Durrës.  “Besoj se ndaj Teutës do të ketë aktivizime të reja, por edhe titullarët e zakonshëm, pasi bëhet fjalë për një kundërshtar elite. Test më të mirë se sa ky para ndeshjes me Lushnjen nuk mund të gjenim. Besoj se do jetë një sfidë e bukur mes dy qyteteve bregdetare”.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *