Devolli: Kukësi? Më thuaj një ndeshje të lehtë?! Finalja e radhës

Kategoria Superiore këtë fundjavë luan ndeshjet e javës së 27-të dhe skuadra e Kastriotit të Krujës pret në fushën e vet Kukësin, skuadër që rivalizon me Partizanin për titullin kampion. Trajneri Bledar Devolli, për SportEkspres.com, deklaron se ndeshjet për të gjitha skuadrat janë të forta e vështira.

“Më thuaj një ndeshje të lehtë sot në Kategorinë Superiore! Nuk ka Asnjë! Sikur të luash kundër Partizanit, apo edhe kundër të gjitha skuadrave të tjera, njësoj është vlerësimi. Nga vendi i 9-të që jemi ne, e deri te vendi i 4-t që mbahet nga Flamurtari, janë 14 pikë diferencë. Duke qenë se do të luhen edhe 10 ndeshje, kemi të gjitha skuadrat nga 30 pikë në dispozicion”, theksoi Devolli.

Kundër Kukësit objektivi është i qartë dhe trajneri gjirokastrite deklaron: “E dimë se kush është Kukësi dhe synimet që ka në këtë kampionat. Ne shohim objektivat tona, që janë për mbijetesë në Superiore. Çdo ndeshje e vlerësojmë si finale, që si brenda, ashtu edhe jashtë fushës sonë vlejnë tri pikë. Këtë javë do t’i afrohemi më shumë rivalëve të tjerë për mbijetesë”.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *