Ish-drejtori i të kuqve: Çani dhe Sukaj do të bëjnë diferencën së bashku. Trajneri do të vuajë mosnjohjen e kampionatit shqiptar
Merkatoja e Partizanit ka qenë në krye të diskutimeve në këtë verë, dhe jo më kot. “Demat” kanë pasur “kapiten” të lëvizjeve “big” Luçiano Moxhin. Personaliteti i futbollit Italian nuk zhgënjeu, të paktën me emra jo, por se sa do të japin në fushën e lojës afrimet e bujshme të kryeqytetasve mbetet për t’u pare. I këtij mendimi është edhe ish-drejtori i të kuqve Dritan Dervishi. Ai ka analizuar merkaton e kuqe dhe ndër të tjera ka vlerësuar pozitivisht trajnerin që është vendosur në krye të pankinës Mark Juliano. Sipas tij, Juliano do të vuajë pak edhe faktin që nuk e njoh futbollin shqiptar dhe mendon se mund të bjerë në kontradikta me zëvendëstrajnerin Dalipi, kjo për faktin se ky i fundit ka shumë përvojë dhe ka idetë e tij për futbollin. Sipas Dervishit, zëvendëstrajnerit të “demave” duhet t’i besohet ndonjë ekip i pare tashmë, pasi mund të ia dale mjaft mirë.
– A është e goditur merkatoja e Partizanit deri tani?
– Partizani ka investuar shumë në merkato. Lojtarëve të afruar duhet t’i lihet pak kohë që të ambientohen dhe duhen pare në vazhdim. Mendoj se La Kamera së bashku me Adorjan janë dy futbollitë të mirë. Besoj se Çani dhe Sukaj bashkë do të bëjnë diferencën duke luajtur së bashku. Megjithatë dhe rivaliteti do të jetë i ashpër. Kukësi ka bërë ekip të mire, ndërsa Skënderbeu është mire. Shitja e Latifit do t’i dëmtoj shumë.
– Partizani ka afruar vetëm lojtarë nga tregu i huaj, do të ndikojë kjo deri sa të përshtaten në futbollin shqiptar?
– Për mendimin tim, një lojtar i mirë nuk e vuan shumë përshtatjen. Ekuban, Torasa apo Filipe Gomesh nuk vuajtën aspak në këtë pjesë. Partizani duhej të afronte edhe ndonjë futbollist nga Superliga shqiptare. Batha, Trashi dhe nëse do të afrohej Hasani, do të ishte mesfusha më e mirë e Superligës.
– Lojtarët duken të kënaqur me Julianon, çfarë përshtypjesh keni për të?
– Nga bisedat që kam pasur me futbollistët e Partizanit, ata janë të kënaqur me Julianon. Ai është një trajner i përgatitur dhe punëtor, por do të vuajë. Një trajner që nuk ka mbrapa klubin do ta ketë të vështirë. E them këtë, pasi kush do të ia shpjegojë Superligën? Preiti nuk e njeh vetë.
– Harruat Dalipin…
– Nuk mendoj si ju. Dalipi e njeh mirë, por mendoj se mund të bëhet edhe pengesë. Ai ka idetë e tij për futbollin, pasi ka fituar përvojën e duhur se ka shumë vite si zëvendëstrajner. Dalipit duhet t’i besohet një ekip që ta drejtojë vetë. E ka fituar atë tagër tanimë.
– U largua Hakaj, ndërsa Bardhi, Fili, Jaupaj e ndonjë tjetër duken në hije. Po anashkalohen të rinjtë?
– Partizani ka afruar të rinj, madje edhe i ka stimuluar. Kujtojmë Ramadanin që fitoi formacionin dhe luajti mjaft mirë me të kuqtë. Formacioni nuk dhurohet, por duhet ta fitosh. Mendoj se Partizani i ka dhënë mundësi secilit, por edhe ata duhet t’i japin vetes.
– A fitohet titulli i shumëpritur sivjet?
– Nuk e di, ka konkurrencë të madhe. Presidenti Gjici ka investuar përsëri për të mbrojtur titullin dhe Takaj me Skënderbeun dihet se çfarë synimesh kanë.