Këtë fundjavë futbolli anglez do të përjetojë derbin e Mançesterit, ku Siti i Pep Guardiolës do të presë në “Etihad”, Junajtidin e Zhose Murinjos. Rivaliteti i dy klubeve vitet e fundit është bërë shumë i diskutuar, pasi Siti ka pësuar një rritje mjaft të madhe që në kohën kur u mor nga sheiku Mansur.
Mançester Junajtid titullin e fundit të Premier Ligës, e ka fituar në sezonin 2012-2013 dhe që nga ajo kohë Siti ka fituar dy tituj të tjerë pas atij të sezonit 2011-2012, i fundit është fituar sezonin e shkuar. Megjithëse historia e Junajtid është shumë herë më e madhe se e Mançester Sitit, “citizens” krenohen me vitet e fundit, ku janë më në formë se rivalët e tyre.
Siti triumfoi fundjavën që lamë pas, ndaj Sauthemptonit me rezultatin e thellë 6-1. Ekipi i Guardiolës duket një makineri perfekte, sidomos në sulm, por për Junajtid nuk mund të thuhet e njëjta gjë dhe statistikat e konfirmojnë këtë gjë. Që nga hera e fundit që “djajtë e kuq” shënonin 5 gola në një ndeshje të Premier Ligës, Siti e ka bërë këtë gjë 21 herë.
Një statistikë që konfirmon formën që po kalojnë “qytetarët” vitet e fundit. Gjithsesi, Junajtid ka treguar se në derbi kthehet në një tjetër ekip dhe mjafton të kujtojmë këtu, triumfin e arritur në “Etihad Stadium” sezonin e shkuar, ku përmbysën disavantazhin e dy golave në pjesën e parë, duke e mbyllur sfidën me fitore 2-3.