Drejtori teknik i Milanit, Leonardo ka fituar çmimin “Liedholm 2018”, një çmim që i jepet çdo vit një personaliteti që dallohet, jo vetëm për rezultatet sportive, por dhe për vlerat e ndershmërisë, korrektësisë, njërzillëkut, transparencës dhe elegancës, që kanë dalluar jetën dhe karrierën sportive të Nils Liedholm, një nga legjendave të Milanit.
Braziliani ka folur pas fitimit të çmimit, ku ka analizuar shumë tema, nga ekipi i Milanit, ku ka qenë lojtar, trajner dhe drejtues. Leonardo tregon fillimet në karrierën e drejtuesit, që e mësoi nga Adriano Galiani, ndërsa prek dhe shumë gjëra të tjera.
VLERËSIMI – “Jam i lumtur që ndodhem këtu dhe për fitoren e këtij çmimi. Mendoj se të jesh i respektueshëm, i edukuar dhe korrekt është një vlerë. Ka qenë e rëndësishme të kaloja fazën e djaloshit. Liedholm kishte një ironi të madhe, unë jam më pragmatik, më i drejtpërdrejtë. Falënderoj Karlon që më zgjodhi mu për këtë çmim.”
KARRIERA – “Kam bërë pak nga të gjitha në karrierën time. Fakti që kam luajtur role të ndryshme, më ka bërë të qartë kufirin e gjërave. Lojtarët dhe trajnerët fitojnë ndeshjet, ndërsa klubi fiton kampionatet. Ata jetojnë në periudha të shkurtra, ndërsa klubi në periudha të gjata dhe nuk është e thjeshtë.”
FORCA – “Dua të jem më konkret, më i vazhdueshëm dhe është shumë e rëndësishme të ndërtosh marrëdhënie të qëndrueshme. Kur bën trajnerin përjeton emocione të tjera. Trajneri e përjeton karrierën e tij në varësi të rezultateve, ndërsa klubi duhet të jetë solid.”
GALIANI – “Me Adriano Galianin ka bërë gjashtë vitet e mia të universitetit. Mendoj se praktika e universitetit tim ka qenë pjesë e një Milani perfekt nga të gjitha këndvështrimet. Kemi nevojë për një pjesëmarrje më efektive.”
RAPORTI SHOQËRI-KLUB – “Në Itali ekzistonin pronat familjare, ndërsa bota po shkon drejt kompanive. Vetë roli i drejtorit sportiv po ndryshon drejt këtij evoluimi. Vlera e një shoqërie varet nga ekuilibri i bilancit dhe emocionet që prodhon.”
RIKTHIMI TE MILAN – “Në jetën time kam hasur gjithmonë vështirësi për të programuar gjërat. Kam patur situata pozitive dhe jam rrëmbyer nga shanset e krijuara. Erdha te Milani në vitin 1997, luajta për katër vite dhe vendosa ta mbyllja karrierën në Brazil me San Paolon dhe Flamengon. Gjashtë muaj më vonë më telefonoi Galiani për të organizuar ndeshjen e lamtumirës së Bobanit. Ndërsa po kthehesha me avion, Berluskoni telefonoi Galianin dhe ky i fundit më tha: ‘A je miku im? Nëse po, qëndro me ne’. Qëndrova deri me 1 prill të vitit 2003, kur u bëra zëvendësi i Galianit. Krijuam ‘Fondacionin e Milanit’ dhe jam i lumtur që jam rikthyer pjesë e klubit.”
AVENTURA ME INTER – “Ika tek Inter për shumë shkaqe, por Morati më bindi për këtë aventurë. Kisha raporte me lojtarë të ndryshëm brazilianë të Interit që kur luaja. Kërkoja t’i qëndroja pranë Ronaldos dhe ta ndihmoja. Aty lindi dhe raporti ynë.”
TË RINJTË – “Gjithçka ka të bëjë me ekuilibrin. Barcelona u bazua te vlerat e sektorit të të rinjve për të krijuar një epokë. Ne sot kemi Donarumën, Kalabrian, Kutronen. Ka qenë edhe Lokateli dhe këto janë frytet e punës me të rinjtë. Të rinjtë tanë ‘masakrohen’ nga shtypi. Nëse një djalosh në moshën 15-vjeçare nuk e ndjen peshën e fanellës, do të thotë se kemi bërë gjithçka gabim.”
PAKETA – “Nuk ka shumë për t;u thënë. Kemi një marrëveshje paraprake me Flamengon, por merkato hapet në janar dhe na mbetet edhe pak për ta zyrtarizuar. Tani po mendojmë për kampionatin dhe për ndeshjet në Europë, jo për merkaton. Çafër lojtari është? Për momentin është i Flamengos dhe duhet të luajë edhe disa ndeshje në kampionatin brazilian. Duhet të presim datën 3 janar.”
IBRAHIMOVIÇ – “Është normale që këtu ka edhe një lidhje personale me Ibrën. Kur erdhëm këtu ne menduam për, pasi edhe në moshën 37-vjeçarë është një nga ata tipa që të motivon. Tani merkato është e mbyllur. Duhet t’i bëjmë gjërat me qetësi, nuk duhet të harrojmë edhe ‘fair play’-in financiar. Duam të ndërtojmë një ekip kompetitiv.”
FAIR-PLAY FINANCIAR – “Kemi një proces që po e ndjekim. Nuk duhet të harrojmë nga ku e kemi nisur, tre muaj më parë nuk ishim as në Europa League.”
PËRBALLJA ME INTERIN – “Derbi është gjithmonë derbi. Mund të thuash shumë gjëra, por pas vërshëllimës së arbitrit shfaqet gjithçka. Jemi duke u rritur, për ne do të jetë një provë e madhe përballja me Interin. Shikoj një skuadër më të ndërgjegjshme për atë që mund të bëjë. E kanë kuptuar se mund të bëjnë gjëra të rëndësishme.”
GRUPI I LOJTARËVE – “Suso është një talent, të gjithë e dinë se si luan, por nuk e markojnë dot. Është bukur ta shohësh të luajë. Kemi në ekip shumë të rinj të rëndësishëm. Bilia po demonstron se është një pikë referimi, Xhek ka shumë eksperiencë, përshtatet dhe shënon gola. Çalhanoglu duhet të jetë më intensiv. Kutrone ka një energji dhe gjallëri ngjitëse. Po flasim për lojtarë shumë të rëndësishëm, siç janë edhe Kastilejo dhe Laksalt. Edhe Bakajoko do të tregojë vlerat e tij, ka shumë cilësi të mira.”
GALIANI E BERLUSKONI TE MONZA – “Jam i kënaqur se pse ata nuk mund të jetojnë pa futboll. Është nëj histori shumë e bukur për t’u treguar. Milani i tyre ka lënë vlera të mëdha dhe emocione. tani jemi një shoqëri e ndryshme, por vlerat mbeten të njëjta.”