Derbi i Francës në “flakë”, Nejmar me karton të kuq dhe Kavani ngrin Marsejën

Një ndeshje e çmendur, si gjithnjë: Marsejë-PSG i pati të gjitha, dhe në fund u mbyll 2-2, edhe pse ishte klasikja ndoshta më pak e balancuar në histori. Dhe si zakonisht në historinë mes dy gjigantëve francezë, logjika nuk funksionoi.

Mes tymit të bombave artizanale, Marseja ushtroi presion pa fund mbi parizienët, duke u treguar agresivë aq sa për të futur në krizë milionerët.

Luiz Gustavo shënoi një gol të shkëlqyer nga distanca në minutën e 16-të, por Nejmari barazoi në të 33-tën. Në minutën e 78-të Thoven ndezi stadiumin, me golin e dytë marsejez, por fitorja e parë në 15 përballjet e fundit nuk erdhi, edhe pse Nejmari doli me karton të kuq në minutën e 87-të. Në shtesë, një goditje dënimi pranë zone iu dha Kavanit, kujt tjetër, dhe uruguaiani nuk fali, duke përplasur topin në traversë e pastaj në rrjetë.

“Velodromme” në heshtje, PSG merr një pikë të çmuar, që mban 4 pikë larg Monakon. Marseja është 8 pikë pas, por edhe nëse fitonte, nuk është se ëndërronte kreun, sepse fitorja do të festohej gjatë thjesht për faktin se do të mposhtej rivali i egër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *