Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, është zgjedhur së fundmi anëtar i Komitetit Ekzekutiv në UEFA. Një ngjarje historike për futbollin e vendit tonë, ndërkohë numri një i FSHF-së është ngacmuar nëse do rikandidojë për presidentin në federatë.
“Sa mora mandatin e ri dhe nuk po e mendoj, është shumë shpejt”, është shprehur Duka në emisionin “I ftuari” të gazetarit Endri Xhafo në “A2 CNN”. Në fakt mandati i tij përfundon në vitin 2022 dhe deri atëherë ka kohë mjaftueshëm për të marrë një vendim.
Historik nuk është vetëm zgjedhja e Dukës në Komitetin Ekzekutiv të UEFA, por edhe dënimi që këta të fundit kanë marrë për Skënderbeun. Në raportin e paraqitur në asamblenë e UEFA-s është konsideruar një sukses luftimi i trukimeve dhe mes çështjeve të listuara veçohej edhe dënimi i korçarëve me 10 vite përjashtim nga kompeticionet evropiane dhe me një gjobë që kap shifrën 1 milion euro.
“Dënimi i Skënderbeut është i paprecedent, nuk ka ndodhur asnjëherë. Nuk do isha dakord me një dënim të tillë, pasi dënimi është i përjetshëm nëse e zbërthen tamam. Mendoj që nuk është rasti më i keq, por është bërë për t’u marrë shembull”, u shpreh Duka në emision.
KUALIFIKUESET E EURO 2020 – “Franca është kampione e botës dhe është në formë të shkëlqyer sportive, por nuk ka diferenca mes Turqisë dhe Moldavisë, apo Islandës dhe Shqipërisë. Sigurisht që kualifikimi nuk është mision i lehtë, por ne do ta tentojmë”, u shpreh kreu i FSHF-së.
“Objektivi ynë është që të fitojmë çdo ndeshje, dhe nëse e bëjmë këtë do të dalim të parët. Por në futboll jo gjithmonë arrihen ato që ke vendosur si objektiv. Grupi ku ne luajmë mendoj që është i balancuar. Por i kam thënë Panuçit pas shortit, kush llogarit 6 pikë me Andorrën i ka të humbura”, përfundoi Duka.