Penalizimi në pikë është rrezik real, por vetëm nëse Idrizi vazhdon të refuzojë të paguajë dhe të mos lejojë Federatën të kryejë shlyerjen
Elton Nika
Flamurtarit nuk do t’i hiqen pikë në prag të sezonit të ardhshëm, në Vlorë mund të qëndrojnë të qetë. Ndoshta. Sepse nuk i dihet kurrë, duke parë çfarë ka ndodhur me klubin kuqezi sezonet e fundit. Administratori i klubit kuqezi Sinan Idrizi ka kohë që ka nisur një betejë të egër me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe sezonin e shkuar Flamurtarit iu hoqën 6 pikë për një kapriço, sepse për 24 orë distancë u hoqën pikët dhe u shlyen disa borxhe të prapambetura. Po tani? Sërish është çështja “Gjoka” në tryezë, çështja më e nxehtë e epokës “Idrizi”, me administratorin që nuk pranon të shlyejë borxhin e Gjokës nga koha kur drejtonte bashkia. Arsyetimi i Idrizit është i thjeshtë: borxhi nuk u përket kompanive turke, le ta shlyejë bashkia, ose vetë Shpëtim Gjika, ish-kryebashkiaku. Ku qëndron problemi këtu? E keqja është se në futboll kontratat i firmosin klubet, jo persona privatë dhe institucione, ndaj Flamurtari është borxhli kundrejt Gjokës.
DËNIMI I PARË – Muaj më parë, FSHF doli me një vendim final: Flamurtari duhet të shlyejë 45 mijë eurot që i detyrohet Gjokës nga kontrata e parë e tij, sepse është edhe një kontratë tjetër, me turqit, që nuk është shlyer plotësisht, por ajo është histori që i përket së ardhmes. Zgjidhja e Idrizit? Ultimatumi i FSHF-së konsistonte në heqjen e pikëve, nëse nuk paguhej. Për të evituar heqjen e pikëve, mbetej shtyrja e ultimatumit dhe kjo bëhej vetëm duke gjetur prova të reja, që nuk u gjetën, si dhe duke shkuar në KAS, në Lozanë, për të apeluar dënimin.
HISTORIA ME KAS – Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë është shkalla e fundit që vendos në mosmarrëveshje të tilla, ndaj Flamurtari paralajmëroi se do të shkonte aty për të gjetur të drejtën e vet. Procedura nisi, dosja u dërgua, por… nuk u pagua tarifa rutinë për të hequr shpenzimet administrative. Si i bëhet? Apeli hidhet në koshin e plehrave, KAS njofton të gjithë që çështja nuk u hap fare dhe mbetet në fuqi vendimi i FSHF-së.
ZGJIDHJA E VETME – Flamurtari tashmë është në një rrugë së cilës fundi i dihet: Duhet të paguajë Gjokën, kaq. Nëse nuk e paguan dhe refuzon që edhe Federata të shlyejë trajnerin nëpërmjet mbajtjes së të ardhurave të Flamurtarit nga e drejta televizive apo të ardhurat nga Fondi i Solidaritetit, atëherë nis heqja e pikëve. Kjo zor se ndodh, sepse tashmë FSHF nuk ka ndërmend të prishë kampionatin. Nëse Flamurtari nuk pranon të paguajë Gjokën, fare mirë paratë i bllokohen nga Federata dhe Gjoka do të shlyhet, me të mirë a me të keq. Gjithnjë në rast se Gjoka nuk kërkon penalizim të Flamurtarit, sepse edhe këtë e ka në dorë trajneri…
REAGIMI I GJOKËS – “Sport Ekspres ka tentuar ditët e fundit të kontaktojë me Ernest Gjokën dhe ditën e djeshme ka mundur të shkëputë prej tij një fjali të shkurtër në lidhje me këtë çështje, pasi Gjoka ishte i përqendruar vetëm te sfida kundër Sherifit dhe nuk pranonte të fliste për çështje që nuk kanë lidhje me Kukësin. Megjithatë, pas këmbënguljes së gazetës, Gjoka deklaroi shkurt e qartë: “Nuk më intereson fare dënimi i Flamurtarit, përkundrazi. Unë dua paratë që më takojnë, FSHF ta gjejë vetë zgjidhjen, nëse ekziston një e tillë”. E thënë ndryshe: brenda pak ditësh avokati i Gjokës do të shkojë në FSHF, do të kërkojë shlyerjen e klientit të tij dhe që aty vihet në lëvizje makineria juridike, që do të shlyejë trajnerin dhe do të evitojë fundosjen e Flamurtarit për sa u përket pikëve për sezonin e ri.