I jashtëzakonshmi Koliçi mahnit menaxherët: Në Elbasan do jetë muzikë tjetër

“Gardiani” hero i Kukësit: Nëse japim maksimumin, arrijmë kualifikimin. Unë bëra vetëm detyrën time

Jurgen Zela

Protagonist absolut në takimin historik të Kukësit në Champions League. Enea Koliçi, pa diskutim është ai që mban ende në lojë Kukësin, për sa i përket kualifikimit. Me pritjet e tij të panumërta, Koliçi mori përdore skuadrën dhe në shumë pak momente shfaqi pasiguri. Edhe pse në momentin e 11-metërshit arriti që të kuptonte krahun, nuk mundi që t’i jepte topit devijimin që do të kurorëzonte një mbrëmje që foli e gjitha për të. Vlerësime maksimale dhe nga komentatori moldav, i cili në jo pak raste thoshte “Bravo Koliçi”. Një xhevahir i çmuar i Kukësit, pasi performanca e tij ka ardhur vetëm në rritje. Pas një paraqitje perfekte në kampionat, ku dhe aty gëzon jo pak merita në fitimin e titullit kampion, do të kërkojë që të avancojë akoma dhe më tej.

E ARDHMJA Kontrata me Kukësin i përfundon pas kupave të Europës dhe qëndrimi në verilindje do të ishte një mrekulli për kampionët. Performanca e shkëlqyer në kampionat nuk ka kaluar jashtë vëmendjes së menaxherëve të ndryshëm, që menjëherë kanë shfaqur interes për “gardianin” e Kukësit. Siç bëhet e ditur për “Sport Ekspres”, në ndeshjen me Sherifin disa menaxherë kanë qenë në stadiumin e Sherifit, për të ndjekur 31-vjeçarin e Kukësit. Pak kohë më parë gazeta pati mësuar se “gardiani” kishte ngjallur interes në Francë, Turqi dhe Qipro. Nuk zhgënjeu aspak dhe dje, duke rritur akoma më shumë kuotat e tij në sytë e menaxherëve, që dje kishin udhëtuar drejt Moldavisë së largët për ta ndjekur nga afër. Në Kukës shpresojnë që të mos privohen nga shërbimet e një “xhevahiri” të paçmueshëm, por dorezat e Koliçit po flasin vetë dhe një ofertë joshëse nga jashtë do të bënte që të niste një tjetër aventurë. Normalisht që si fillim do të kërkojë që të shkojë sa më larg me Kukësin e tij, pasi çdo tur që mund të kalojë do të përkthehej në rritje vlere, ndaj Kukësi duhet t’i gëzohet faktit që do të kërkojë kualifikimin me një siguri të madhe pas krahëve të mbrojtjes.

DEKLARATA Pas ndeshjes, “Sport Ekspres” ka kontaktuar lojtarin më të mirë në fushë. Në një prononcim të shkurtër, ai ka folur për debutimin e Kukësit në Champions si dhe për ndeshjen e kthimit, duke lëshuar mesazhin se do të jetë një tjetër Kukës dhe një tjetër ndeshje ajo e një jave më pas “Elbasan Arena”. Kualifikimi? Arrihet nëse të gjithë do të japin maksimumin.

Fillimisht Koliçi analizon ndeshjen, duke veçuar faktin se ndeshja mund të kishte shkuar në favorin e tyre nëse do të kishte pasur pak më tepër përqendrim: “Ishte një kundërshtar mjaft i fortë me lojtarë shumë cilësor. Na vunë në presion, sidomos në pjesën e dytë. Edhe ne patëm rastet tona, në disa momente të mira, ku kontrolluam lojën dhe me pak përqendrim më tepër ndeshja mund të shkonte në favorin tonë, por kështu e ka futbolli”. Pritjet e tij spektakolare, mbeten faktori kryesor që Kukësi shpreson tek kualifikimi, por në këtë pikë Koliçi tregohet mjaft modest dhe i lumtur: “Unë thjesht bëra detyrën time dhe gëzohem shumë që arrita ta ndihmoj skuadrën”. Për 31-vjeçarin, kualifikimi është diçka që mund të arrihet dhe për këtë ka gati edhe recetën. “Besoj shumë se mund të arrijmë tek kualifikimi. Ndeshja në Elbasan do të jetë ndryshe dhe do të flasë më shumë për ne. Shpresoj të mos kem fare punë në kthim. Shanset i kemi, ndaj ne na takon që të japim maksimumin në takimin e kthimit”. Tek 11-metërshi kuptoi krahun, por ishte e pamundur për ta ndalur topin. Koliçi e mbyll prononcimin me një vlerësim për spanjollin Serran, i cili shkaktoi dhe penalltinë: “Serran është një djalë shumë i mirë dhe profesionist. Ishte një moment i keq për të dhe mund t’i ndodhte çdokujt”, përfundon Koliçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online