Mbrojtësi gjirokastrit humbet dhe ndeshjen me Lushnjen, Bakaj ka shanse për rikuperim. Milinkoviç kërkon zgjim nga skuadra
Jurgen Zela
Kukësi u është rikthyer përgatitjeve pas humbjes me Skënderbeut. Pas dy ditëve pushim, skuadra është rikthyer në fushën e blertë. Normalisht që humbja në shtëpi me Skënderbeun e ka prishur disi atmosferën dhe në aspektin psikologjik vetë trajneri pas ndeshjes deklaroi se do ketë shumë punë për të bërë. Pavarësisht humbjes koha për të përgatitur ndeshjen e ardhshme nuk është shumë e madhe, pasi skuadra kampionët do të zbresin në fushë mesditën e së enjtes. Stafi teknik ka planifikuar disa ditë stërvitje të ngarkuar, kjo që skuadra të rritet akoma më shumë, por edhe për të korrigjuar gabimet e bëra përballë Skënderbeut. Stafi teknik që në ditën e parë kishte planifikuar dy seanca stërvitore, teksa lojtarët kanë zbritur në fushë që në orën 09:00 të mëngjesit në fushën e kompleksit “Internacional”. Po ashtu dhe pasdite në orën 16:00 lojtarët sërish janë grumbulluar në Pezë, për një tjetër seancë. Mësohet se së paku dhe për dy ditët në vijim ngarkesa do të jetë maksimale me dy seanca në ditë.
GJENDJA – Dëmtimet kanë qenë problemi më i madh i Kukësit gjatë këtij fillimsezoni, teksa timonieri Milinkoviç në asnjë takim nuk e ka pasur grupin e plotë, për shkak dëmtimesh. Edhe në seancat e djeshme stërvitore ka pasur mungesa të rëndësishme. Elis Bakaj ka qenë prezent në fillimin e përgatitjeve, por nuk është ndërruar dhe vetëm pas pak minutash nga fillimi i stërvitjes është larguar nga kompleksi sportiv. Sulmuesi kryeqytetas ka zhvilluar terapi intensive me stafin mjekësor dhe me shumë gjasa do të jetë nga minuta e parë në ndeshjen e ardhshme, pavarësisht se ende nuk është gati që të stërvitet me grupin. Nëse për sa i përket repartit të avancuar situata duket e qetë, në prapavijë gjendja ndryshon. Ylli Shameti nuk do të jetë i gatshëm as për transfertën lushnjare. Gjirokastriti ndien ende probleme në këmbën e tij të djathtë dhe stafi mjekësor i ka komunikuar që nuk duhet të rrezikojë në ndeshjen e ardhshme. Një humbje e madhe për Kukësin, kjo pasi dihet që 33-vjeçari është një nga “shtyllat” kryesore të skuadrës.
MILINKOVIÇ – Para nisjes së stërvitjes, ka qenë trajneri Mlladen Milinkoviç që ka mbajtur një fjalim jo shumë të gjatë para skuadrës. Fillimisht timonieri i skuadrës ka komentuar paraqitjen me Skënderbeun, teksa ka prekur jo pak detajet e lojës dhe momente të takimit. Më pas tekniku serb është përqendruar te ana morale e skuadrës, për të vënë në dukje se duhet shumë punë për ta arritur suksesin e sezonit të shkuar, por njëkohësisht asgjë s’ka mbaruar pasi është luajtur vetëm java e katërt e kampionatit.
Java e pestë e Superiores e vendos Kukësin përballë Lushnjes, e cila vjen me moral të lartë, pas barazimit në kryeqytet, ndaj kampionët nuk mund ta cilësojnë kurrsesi si një përballje të lehtë. Një tjetër mungesë ka qenë ajo e mesfushorit malazez Milosh Kërkotiç, me 30-vjeçarin që ka marrë leje një ditë më shumë për të ikur pranë familjes dhe sot pritet që të bashkohet me skuadrën.