Kukësi në ndeshjen me Tiranën pati disa mungesa, ndërkohë që në atë përballje u dëmtua edhe mesfushori Arbër Çyrbja. Sytë janë nga ai, duke ditur që edhe të tjerë lojtarë kanë pasur probleme gjatë kësaj periudhe. Ditën e djeshme, trajneri Ernest Gjoka foli për mediat dhe zbuloi se Edis Maliki e ka mbyllur sezonin. Më parë ka ndodhur diçka e tillë edhe me Gëzim Krasniqin.
“Jashtëzakonisht keq jemi me dëmtimet. Kemi Shametin që nuk e dimë kur kthehet, Maliki e ka mbyllur sezonin, pasi ka pësuar një krisje në këmbë. Dzaria ka qenë me bronkopneumoni dhe shpresojmë të na kthehet. Valdet Rama, nga më të mirët e skuadrës, u dëmtua me Flamurtarin. Presim edhe riaftësimin e plotë të Musollit, që sa më shpejt t’i marrim më të mirën. Po t’i shohim me kujdes, janë gati pesë lojtarë me probleme. Janë shumë mungesa për një ekip në futbollin shqiptar”, deklaroi Gjoka për mediat.
Ndeshja e radhës për Kukësin është ajo me Skënderbeun, të mërkurën në Kamzë. Verilindorët duan të kalojnë në finale të Kupës së Shqipërisë dhe ta fitojnë këtë trofe, ndryshe sezoni mund të konsiderohet i dështuar.