Gaz Demi, siç e thërrasin të gjithë, është nga ata presidentë që flet pak. Gjithsesi është i drejtpërdrejtë në ato që deklaron dhe nuk kursehet. Së fundmi ai ka folur për shumë çështje dhe fillimisht vëmendjen e ka marrë ndalimi i kampionatit.
“Çdo ndërprerje nuk është e mirë. Të jemi të qartë, jam kundër dhunës dhe e kritikoj ashpër atë që ndodhi në Kamzë. Duhet që Federata të kishte një plan rezervë, pasi krijohet një precedent. Çdo presidenti mund të bojkotojë për një parregullsi. Nuk është pozitive për kampionatin”, tha Demi mes të tjerash për RTSH Sport.
RIKTHIMI I POLICISË – “Këtu federata ka të drejtë, të gjithë jemi të jetë në stadium policia. Problemi është që federata duhet të bojkonte që në fillim. Ajo mbron interesat tona dhe duhet ta kishte kundërshtuar në komisionin e ligjeve që kur u vendos. Nuk jemi aq të qytetëruar sa të mos kemi polici në stadiume. Duhet që federata të bënte presion për ligjin që në fillim. Bojkotonim të gjithë. Kjo ndoshta nuk ndodhte sot”.
PRESIDENTËT NËN AKUZË – “Nuk jam dakord, presidentët janë më të mirët dhe po mbajnë futbollin shqiptar në këmbë. E dimë të gjithë që futbolli nuk është rentabël. Pavarësisht kësaj që ndodhi me Qarrin, të cilin e kemi kritikuar të gjithë, duhet parë edhe gjykimi. Edhe jam unë nxehur, por jam tip më i qetë dhe nuk kam arritur deri në atë pikë. Federata dhe komisionit e arbitrimit duhet të marrin masa të ashpra. Presidentët duhen vlerësuar sepse japin para duke ua hequr familjeve të tyre. E kuptoj kur ka gjykime pa dashje, por ka edhe nga ato me dashje”.
TAKIMI – Të hënën FSHF dhe kryeministri Rama do të ulen në një tryezë të përbashkët edhe me presidentët e klubeve. “Më pëlqen iniciativa e federatës që takohet me qeverinë. Ligji për sportin është një turp i madh. Duhen ca lehtësira. Është turp të paguhet TVSH për sponsorizimet. Bëjmë fatura të vogla për këtë arsye. Do mundohem të jem aty, nëse nuk do të jem, do ketë nga stafi ynë”.
KAMPIONATI – “Jemi të parët, por gara nuk është mbyllur. Nuk jam tip mediatik. Partizani ka qenë me mediat i hapur. Unë kam këtë karakter, që besoj te stafi im dhe besoj se kam një staf të mirë. A është ky kampionati më i drejtë? Nuk jam gjyqtar të them është më i drejtë apo jo. Është një kampionat që shpresoj që nga viti në vit të përmirësohet. Edhe kampionati është si vendi ynë. Jemi të parët, mund të kem shumë gjëra për të thëna, por fituesi nuk gjykohet. Jemi drejt titullit, shpresojmë të ecim mirë. Do kem kohë të flas më shumë herë tjetër”.
RAPORTI ME FEDERATËN – “Partizani ka një sjellje njëlloj. Nuk kemi punë personale as me federatën, as me kolegët. Të gjithë shpenzojnë dhe flasin si duan. Ne shohim punën tonë dhe nuk gjykojmë. Ka pakënaqësi në ndonjë moment. Kur ka gjëra me paragjykim do të flasim. Nuk mund të mbajmë ne rregullin, e ka federata atë punë”.