Mbrëmjen e sotme e gjithë vëmendja do të jetë në “San Siro”, pasi luhet derbi i Madoninës mes Milanit dhe Interit. Kuqezinjtë vijnë me moral më të lartë se zikaltrit, të cilët kanë pasur jo pak probleme kohët e fundit.
Ekipi i Gatuzos ka plot tre vite pa fituar në derbi dhe do të kërkojnë të rikthehen te triumfi mbrëmjen e sotme. Formacioni i “djallit” është i zakonshmi me rreshtimin 4-3-3, ku mbrojtja nuk lëviz, me Kalabrian që preferohet më shumë se sa Andrea Konti.
I vetmi dyshim i Gatuzos do të jetë në mesfushë, ku do të bëjë një zgjedhje të vështirë, teksa do të ulë në stol një mes Bakajokos ose Kesit, për t’i hapur vend Lukas Biljas, i cili duket goxha në formë pas rikthimit nga dëmtimi.
Lukas Paketa është i vetmi që nuk është në dyshim në mesfushë, pasi fantazia e brazilianit do t’i duhet jo pak Milanit. Ndërkohë, treshja përpara nuk lëviz. Pavarësisht sinjaleve të mira të Kastijehos, Suso e Çalhanglu do të jenë ata që do të mbështesin Kristof Piatek.
Nga ana tjetër, Spaletit do t’i duhet të bëjë pa Ikardin e Naingolan, dy mungesa mjaft të rëndësishme. Çelsat e sulmit i janë besuar Lautaro Martinezit, ndërsa pas tij do të qëndrojnë Perishiç, Politano e Borha Valero. Në mbrojtje, Sedrik Soares do të ulet në stol, pasi nga krahët luajnë D’Ambrozio e Azamoah.
Vesino dhe Brozoviç do të luajnë përpara prapavijës, me kroatin që thuajse është 100% gati dhe e ka lënë pas dëmtimin. Këto do të jenë pak a shumë vendosjet dhe lojtarët titullarë të të dy ekipeve, me derbin që do të nisë në orën 20:30.
Milan (4-3-3): Donaruma; Kalabria, Musakio, Romanjoli, Rodriguez; Kesi, Bakajoko (Bilja), Paketa; Suso, Piatek, Çalhanoglu
Inter (4-2-3-1): Handanoviç; D’Ambrozio, De Vrij, Shkriniar, Azamoah; Vesino, Brozoviç; Politano, Borha Valero, Perishiç; Lautaro Martinez