Lushnja nuk ia doli që sivjet të rivalizonte për t’u ngjitur në Superiore dhe normalisht tifozët nuk mund të pajtohen me diçka të tillë. Është e provuar, që stadiumi “Roza Haxhiu”, kur drejtuesit ndërtojnë një skuadër konkurruese, mbushte me tifozë. Nisur nga paraqitja e skuadrës së tyre në këtë sezon, tifo-grupi “Delegatët” i ka dërguar Bashkisë së Lushnjes një listë me kërkesa. Nëse ato nuk plotësohen, atëherë do ketë bojkot prej tyre.
KËRKESAT DHE QËNDRIMI I KLUBIT – “Delegatët” kanë kërkuar Bashkia që për sezonin 2019-2020 të krijohet një skuadër që të ngjitet në Kategorinë Superiore, të rikonstruktohen të gjitha anekset pranë stadiumit, që t’u shërbejnë edhe moshave, si dhe të ketë pjesëmarrje në Sh.a edhe të bizneseve.
Për SportEkspres.com, sekretari i FK Lushnja, Edison Koçi, deklaron se tifozët janë të lirë për kërkesat e tyre dhe ai beson se ato do të kenë prioritet nga Bashkia. “Tifozët kanë të drejtën e tyre për kërkesat që kanë paraqitur. Ata janë të lirë të mendojnë e kërkojnë çdo gjë që e mendojnë në të mirën e skuadrës. Por ato varen nga Bashkia, si administratore, jo nga klubi. Gjithsesi, besoj se ato do të vlerësohen e shikohen me prioritet për sezonin tjetër”, shprehet Koçi.
AGRON KAJA