Dejvi Bregu kërkohet nga Skënderbeu dhe ka shumë mundësi të shkojë atje, por vetë futbollisti e mohon për momentin një fakt të tillë, duke ia lënë në dorë klubit. Klubi gjirokastrit ka mbajtur dy ditë më parë qëndrimin se nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me ato që fliten në media. Kurse sekretari i klubit “Luftëtari”, Gentian Nora, i cili ndodhet aktualisht në Serbi, si mik në shtëpinë e trajnerit Mlladen Milinkoviç, me nota humori dhe pak ironi u shpreh: ”Bregu aty, Bregu këtu. Ndaj e rritëm ne, që ta marrë bota?”
Vetë Dejvi Bregu, i kontaktuar dje nga gazeta, nuk ka pranuar të prononcohet në lidhje me atë çfarë është shkruar deri tani në shtypin sportiv. Por pohon se është dhe mbetet pjesë e Luftëtarit. Këtë nuk e thotë vetëm se është ende nën kontratë me këtë ekip, por edhe për faktin se nuk është ai që vendos për lëvizjen në skuadra të tjera. “Kërkesa mund të ketë, jo vetëm nga Skënderbeu dhe Flamurtari, mund të jenë edhe skuadra të tjera, por, si futbollist profesionist, duhet të zbatoj rregullat, aq më tepër që Luftëtari ka një klub dhe një president ende në detyrë”, – u shpreh shkurt Bregu.