“Deja vu” në Korçë, Flamurtari i ri kërcënon Skënderbeun

Ashtu si një vit më parë, Skënderbeu e Flamurtari e nisin kampionatin duke u përballur në Korçë. Kanë ndryshuar korçarët, por sidomos vlonjatët

Korça prej disa vitesh është kthyer në armikun numër 1 të Flamurtarit dhe tifozerisë vlonjate. Histori të vjetra, plagë të pashëruara, por këtë verë të gjithë duartrokitën arritjet evropiane të Skënderbeut, që ka arkivuar gjithë arritjet e tjera shqiptare, përfshirë Flamurtarin e viteve ’80, edhe pse nostalgjikët nuk harrojnë të përmendin faktin që atëherë luhej me emra si Barcelona. Megjithatë, duhet jetuar me të tashmen dhe duhet menduar e ardhmja.

NDRYSHIMI I MADH PO VJEN? Ajo që më në fund duket se po e bëjnë te Flamurtari, sepse Sinan Idrizi ka ndryshuar tërësisht këtë verë. Pas mbijetesës së vuajtur, e disata rresht, administratori kuqezi është lodhur dhe e ka ndarë mendjen: çelsat e ekipit i janë besuar Shpëtim Duros, i cili ka pasur dorë të lirë të afrojë dhe të largojë cilindo ka dashur. Skuadra është ribërë nga e para, por jo në 31 gusht, sepse të paktën prej një muaji skuadra kuqezi ka qenë e plotë dhe është stërvitur me ritëm të lartë. Nuk ka më shpenzime marramendëse, Duro ka afruar lojtarë duke menduar edhe për zvogëlimin e shpenzimeve të konsiderueshme, ndërsa i është mëshuar shumë idesë që të ndërtohet një skuadër punëtore, pa yje, por me synimin e ndërtimit të një grupi homogjen. Jo rastësisht, edhe Idrizi i thotë shpesh: “Mos i ndani në vlonjatë e jabanxhinj, janë të gjithë vlonjatë dhe futbollistë profesionistë”. Si asnjëherë më parë, në Vlorë nuk premtojnë titull, por e mbajnë shënjestrën ulët. Zgjedhje e zgjuar, kështu edhe ambienti nuk karikohet kot, për të shfryrë nervat që pas humbjes së parë. Entuziazmi mes tifozëve nuk është ai i kohërave të arta, por në Shqipëri dihet si funksion: tre fitore rresht dhe të gjithë bëjnë garë për në stadium. A e bëjnë dot? Fitorja më e madhe e Flamurtarit është të kthejë tifozët në stadium, sepse do të thotë që është bërë diçka e madhe. Ndërkaq, Idrizi pret privatizimin dhe izolon skuadrën nga presioni. Nëse vazhdon kështu, duke mos harruar edhe numrat e llogarive bankare të futbollistëve, Flamurtari i ri mund të bëhet surpriza e madhe e sezonit të ri.

KËSHTJELLA KORÇARE – Flamurtari nuk fiton në Korçë prej vitit 2014. Luhej për kupë dhe më pas trofeu shkoi në Vlorë. Në 11 përballjet e fundit nuk ka barazim dhe zor se del sot në dritë. Flamurtari në përgjithësi nuk është një skuadër e aftë të luajë “me laps e letër” në dorë, edhe pse misioni i Shpëtim Duros është ta bëjë një skuadër të aftë të mbrohet dhe të mos pësojë, para se të kalojë në aventurë për fitore. Luhet në Korçë, përballë skuadrës më të fortë dhe më në formë në Shqipëri, po citojmë fjalët e Duros, ndaj të mendosh fitoren vlonjate duhet vërtet guxim. “A do t’i vinit 10 euro për Luksemburgun në Francë?”, pyeti Panuçi para dy ditësh. Për Luksemburgun nuk bëhet fjalë, por për Flamurtarin mund edhe të tentojë ndokush. Natyrisht, misioni është mjaft i vështirë, pasi Skënderbeu i kësaj vere na ka mrekulluar dhe nuk ka nevojë për ndonjë analizë të thellë për ta kuptuar që ka një superskuadër, por sa për të gjetur një arsye pse sot mund të ketë surprizë: nuk është më Latifi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online