Aurelio De Laurentis nuk di të ndalet me deklaratat e tij dhe çdo ditë vendos që të “dhurojë” ndonjë “perlë” për gazetarët. Numri 1 i klubit të Napolit ka kritikuar ashpër punimet që po bëhen në stadiumin “San Paolo”, duke krahasuar arenën me një “tualet”.
Nuk është aspak një shaka, pasi De Laurentis është mjaft i zhgënjyer nga rikonstruktimi i pjesshëm i stadiumit të Napolit, që për të nuk ka ndryshuar ndonjë gjë të madhe, por për më tepër është dhe shumë pas me planin.
“Nëse do të isha në krye të këshillit, nuk do të kishim probleme financiare,” tha 69-vjeçari fillimisht për radion “Kiss Kiss”.
“Jam lodhur duke thënë se San Paolo po bie në rrugë dhe ata nuk po bëjnë atë çka duhet bërë. Në vend që të përmirësohet, stadiumi duket gjithnjë e më shumë si një tualet”.
Sigurisht që kjo deklaratë shkon në drejtim të bordit, që ka për detyrë mirëmbajtjen e stadiumit të Napolit.