Falimentimi i skuadrës së Barit ka goditur rëndë imazhin e futbollit italian, por fatmirësisht klubi italian nuk është shuar plotësisht. Megjithëse Bari sezonin e ardhshëm do ta nisë nga kategoria më e ulët e piramidës së futbollit italian, “Serie D”, ofertat nga biznesmenë të ndryshëm nuk kanë munguar.
Sipas “Sky Sports”, në zyrën e kryebashkiakut të Barit kanë ardhur 11 oferta. Por, një detaj mjaft interesant është fakti se disa prej ofertave kanë ardhur nga presidentë të skuadrave që militojnë në Serie A, si Antonio De Laurentis i Napolit, Klaudio Lotito i Lacios, Enriko Preciozi i Xhenoas, si dhe Urbano Kairo i Torinos.
Qëllimi i krerëve të klubeve është i qartë. Ata duan ta përdorin Barin si një skuadër të dytë ku mund të dërgojnë lojtarët që nuk kanë hapësira në ekipet e para, si dhe kalojnë në Serie A elementët që spikasin te Bari. Por, fillimisht duhet që Federata italiane e futbollit t’i lejojë presidentëve të drejtën e pronësisë së më shumë se një klubi.