Frenki De Jong do të largohet nga Ajaksi. Mesfushori i talentuar holandez ka arritur akordin me Barcelonën dhe pritet vetëm firma në kontratë. “El Mundo Deportivo” raporton se katalanasit kanë arritur marrëveshjen me Ajaksin, që do të përfitojë 75 milionë euro nga shitja e lojtarit.
21-vjeçari, i cili ka zhvilluar pesë ndeshje me kombëtaren tulipane, do të nënshkruajë një kontratë 5-vjeçare me Barcelonën, ndërsa pjesën e dytë të sezonit do ta vazhdojë në La Liga. Gazeta spanjolle zbulon se akordi është kryer me datë 13 dhjetor, kur Ali Dursun, agjenti i De Jong i bëri të qartë drejtuesve të Barçës kërkesat e Ajaksit dhe të lojtarit.
De Jong është një lojtar me potencial të madh dhe cilësohet si një nga mesfushorët më premtues. Për të interesoheshin dhe klubet e Mançester Sitit, Juventusit, Bajernit të Mynihut dhe PSG, por katalanasit, pasi bindën klubin e “shigjetarëve” me 75 milionë euro, arritën të siguronin dhe marrëveshjen me mesfushorin holandez.