Xhani De Biazi është padyshim një ndër trajnerët më të dashur për ne, kjo dhe për faktin e thjeshtë, që ishte protgonist në arritjen historike të pjesëmarrjes në Euro 2016. Trajneri italian, që nga periudha kur u largua nga stoli i kombëtares sonë, kaloi te Alavesh dhe tashmë nuk është në krye të asnjë ekipi.
Gjithsesi, kjo gjë jo dhe për shumë kohë me sa duket. Siç raportohet së fundmi nga mediat, ish-numri një i stolit tonë, është një kandidat potencial për t’u bërë trajneri i ri i kombëtares së Indisë. Në garë me 62-vjeçarin janë dhe emra të mëdhenj si Sven Goran Erikson, apo dhe Sem Allardajs, por De Biazi shihet si favorit.
Siç thuhet në media, italiani ka aplikuar për të qenë trajner i kombëtares indiane, pasi federata kishte hapur aplikimet. Trajneri i ri pritet të përfitojë 350-400 mijë dollarë në sezon. Një shumë e majme, duke ditur nivelin e futbollit që ka një vend si India.