Davids: Më pëlqen shumë Gatuzo, ja pse bëj tifo për Milanin! Pasardhësi im? Një juventin!

Edgar Davids mbahet mend për grintën e madhe që kishte, dashurinë për dyluftimet në mesin e fushës dhe faktin që luante me syzë. Holandezi i famshëm “shpërtheu” me Ajaksin, duke fituar Champions Ligën në moshën 22-vjeçare. Më pas eksperienca e shkurtër me Milanin, shtatë vite me Juventusin, një sezon i ndarë mes Barcelonës dhe Interit, e më pas dy vite me Totenhemin dhe rikthimi te Ajaksi i tij.

45-vjeçari me origjine nga Surinami ka folur për “Corriere dello Sport”, duke e nisur me Superkupën e Italisë. Juventusi është i fortë dhe mund të fitojë Champions Ligën, ndërsa Xhenaro Gatuzo i pëlqen shumë. Në fushë ishin pothuajse njësoj, ndërsa Davids tregon se pse bën tifozllëk për kuqezinjtë… Në fund lojtari që i ngjan më shumë dhe një mendim për çështjen e racizmit.

JUVENTUS – “Nuk e pashë finalen, por mendoj se Juventusi ka arritur një fitore të bukur. Ata mund ta fitojnë sërish kampionatin, edhe pse mund të mos u mjaftojë. Askush nuk ka fituar kaq shumë tituj rresht në Itali dhe bardhezinjtë po bëjnë diçka të pabesueshme. Juventusi mund të fitojë Champions Ligën, edhe pse e bukura e kësaj kupe është fakti që ka shumë ekipe pretendente. Megjithatë, ata kanë më shumë shanse me Kristiano Ronaldon në ekip. ”

MILAN – “Gatuzo më pëlqen shumë si trajner. Është kënaqësi të luash në një ekip më një lojtar si Gatuzo, i cili jepte 120% në çdo ndeshje. Ai dëshiron të fitojë gjithmonë dhe jep shpirtin për t’ia arritur qëllimit. Jam i kënaqur që Milani po bën mirë dhe më vjen keq për humbjen e Superkupës. Piatek? Nuk e njoh! Vlerësimin më të mirë për të e bëjnë Gatuzo, Leonardo dhe Maldini. Bëj tifozllëk që Milani të ecë mirë, pasi rritet rivaliteti për titull dhe kjo është e mirë për futbollin italian.”

HIGUAIN – “Më pëlqen shumë, sepse ka bërë gjëra të mëdha me Napolin dhe Juventusin. Shpresoja që të bënte mirë dhe me Milanin. Në fillim kisha frikë mos Juventusi humbi një lojtar të madh me largimin e tij.”

NGJASHMËRIA – “Matuidi më pëlqen shumë dhe më duket sikur është rritur pas fitimit të kupës së botës. Ka filluar të bëjë gjëra që nuk mendoja se do i bënte. Më ka befasuar, por mund të përmirësohet akoma si futbollist.

RACIZMI – “Nuk arrij ta kuptoj se pse ndodhin këto gjëra. Mendoj se klubet duhet të bisedojnë me tifozët, sepse kjo nuk është një sjellje e drejtë. Këta janë gjëra të këqija dhe futbolli nuk ka nevojë për to. Jemi në vitin 2019 dhe nuk mund të sillemi kështu. Kam qëndruar më shumë se dhjetë vite në Itali, kam kaluar shkëlqyeshëm, kjo është shtëpia ime e dytë dhe mendoj se nuk ka shumë racistë këtu. Mendoj se është vetëm një grup i vogël , të cilët duhet t’i japin fund qëndrimeve të tilla.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *