Daullja bie për kë ka veshë, mos janë “shurdhuar” te Partizani?

Shumëkush mund të ketë harruar, por jo ne. Për kujtesë, verën e shkuar, te Partizani kur shkruanim që Edgar Çani është i dëmtuar dhe se rikuperimi i tij do të vonojë, e kundërshtonin. Për ta bërë më të besueshme atë që klubi thoshte, u arrit deri aty sa edhe mjeku i skuadrës të dilte e të jepte deklarata.

Përfundimin e dinë të gjithë: Çani mungoi për një kohë të gjatë, çka tregoi se lajmi i nxjerrë në media dhe në “Sport Ekspres” nuk ishte i rremë. Tashmë ka sërish një çështje me sulmuesin dhe lidhet me kontratën e 29-vjeçarit, që tanimë nuk është më në plane.

Luçiano Moxhi kohë më parë arriti deri aty sa deklaroi që nëse sulmuesi nuk bëhej gati në afatin e caktuar, do të ndërpritej kontrata. U tejkalua afati dhe Çani mbeti pjesë e Partizanit. Ai që e ka pësuar duket se është Moxhi, që nuk e kemi parë më vërdallë të na flasë për projektin e të rinjve me të kuqtë që do të ishin si një Juventus i Shqipërisë.

T’i rikthehemi Çanit. Sulmuesi nuk është në planet e klubit: nuk është ai që kishin menduar, paguhet shumë. Ndoshta është e vërtetë, por askush nuk i ka detyruar të kuqtë të firmosin me të. Kontrata është kontratë dhe duhet respektuar. Sulmuesi madje ka pranuar të stërvitet edhe i vetëm më Marko Jovanoviç, ndërkohë që nuk do i thotë jo as kalimit tek ekipi i dytë.

Para ndeshjes me Mariborin, trajneri Skënder Gega deklaroi se sulmuesi nuk kishte formën e duhur. Po Stefan Nikoliç e kishte? Gjithsesi, ky i fundit, pa u parë fare, u përfshi në listën e ndeshjeve të Europa League. Largimi i tij pak ditë më parë i thotë të gjithë!

Por e bukura tjetër qëndron edhe te fakti që Edgar Çani u la pushim gjatë kohës që ekipi përgatitej për ndeshjet me Mariborin. Si mund të ndodhë diçka e tillë me një lojtar që është jashtë forme?! Në një klub normal ai do të punonte edhe më shumë për të kapur ritmin e shokëve dhe për të dhënë më të mirën për klubin që e paguan, madje sa “qimet e kokës”.

Ndërkohë që shkruhet e shkruhet për Edgar Çanin, në klubin e kuq heshtin. Askush nuk del më të sqarojë situatën, që në fakt e dinë të gjithë: sulmuesi nuk është në plane dhe te Partizani presin që ai të lodhet dhe të kërkojë vetë largimin. Sigurisht e gjitha për të kursyer disi në aspektin financiar. Ndoshta duhet të shkruajmë sërish që u dëmtua dhe më pas mjeku i të kuqve të dalë e të bëjë ndonjë sqarim… /VLADIMIR PRENGA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *