Danilo Alvesh zbulon “minierën e arit”, ofertë nga Azia

“Ne Shqipëri do të luaj vetëm për Flamurtarin”, tha pas mbylljes së sezonit të fundit Danilo Alvesh, sulmuesi brazilian që prej dy sezonesh e gjysmë mbron ngjyrat kuqezi. Duket se premtimi do të mbahet, edhe pse përgjysmë, sepse sulmuesi më shumë gjasa nuk do të kthehet më në Superiore.

Edhe pse i ka dhënë fjalën presidentit Sinan Idrizi se do të jetë në Vlorë këto ditë, Danilo Alvesh me shumë gjasa do të ndryshojë destinacion, sepse i ka ardhur një ofertë shumë joshëse nga Korea e Jugut,  mëson “Sport Ekspres”.

Duhet kujtuar se jo vetëm kampionati i Koresë së Jugut, por gjithë rajoni paguan shifra marramendëse në krahasim me futbollin shqiptar, mjafton të kujtohet që lojtarët e huaj në Tailandë paguhen me shifra që i kalojnë 20.000 eurot në muaj.

Natyrisht, nuk është e lehtë t’ia dalësh në një kampionat me mentalitet krejt ndryshe nga Europa dhe në një vend me kulturë mjaft ndryshe nga e jona, ndaj jo rastësisht Cikalleshi e shumë të tjerë nga Ballkani nuk ia kanë dalë të ambientohen.

Megjithatë, Danilo Alvesh nuk mund ta humbasë këtë shans, aq më shumë që është lojtar i lirë në treg dhe do të përfitonte shumë ekonomikisht nga kjo gjë.

Një sulmues shumë i fuqishëm dhe një motor në fushë, Danilo Alvesh është një futbollist që krijon hapësira pa fund për sulmuesit, edhe pse nuk shënon shumë, vetëm 15 gola në 83 ndeshje në Vlorë. Pikërisht shpirti luftarak dhe vrapi pa fund në fushë e kanë bërë Danilon shumë të respektuar në Vlorë, me presidentin Idrizi që nuk e ka lëshuar as kur në garë për ta marrë është futur fuqishëm edhe Skënderbeu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *