Danilo Alvesh është rikthyer në Vlorë dhe është gati për të rinisur aventurën e re me Flamurtarin. Një përforcim i mirë për sulmin e Dajës dhe klubi vlonjat ka zyrtarizuar rikthimin e tij në ekip. “Zyrtare ! Danilo Alvesh përsëri Kuqezi ! Mire se u ktheve ne familjen Kuqezi te Flamurtari Football Club!”, shkruan klubi i Flamurtarit në faqen e tij zyrtare në rrjetet sociale.
27-vjeçari brazilian u largua gjatë merkatos së verës në kategorinë e dytë turke, ku firmosi me ekipin e Afjet Afionspor, por e mbylli shpejt aventurën turke me vetëm dy ndeshje të zhvilluara. Ai zgjodhi të rikthehet te Flamurtari, ekip me të cilin është aktivizuar në dy sezonet e fundit, duke shënuar 18 gola në 73 ndeshje të zhvilluara.
“Jam shumë i lumtur që kthehem në këtë klub. Gëzohem që kthehem në shtëpinë time të dytë. Shpresoj të bëj më mirë se në vende të tjera dhe shpresoj që së bashku me gjithë pjesën tjetër të ekipit të arrijmë objektivat e klubit”, shkruan Alvesh në llogarinë e tij në “Facebook”.