Gjimshiti gati të bëhet lideri i mbrojtjes: Synojmë dy fitore!

0

Berat Gjimshiti është mbrojtësi i vetëm i qendrës në përfaqësuesen shqiptare, që në këtë fillim të sezonit ka luajtur rregullisht. Te Atalanta fitoi besimin e trajnerit Gasperini, edhe pse gjatë merkatos përflitej se mund të largohej, me 25-vjeçarin që synon të ketë të njëjtën rritje kuotash edhe në Kombëtare, tashmë që Mavraj është pa skuadër dhe Ajeti nuk është grumbulluar. Gjithashtu, lojtari nga Lugina e Preshevës zbulon objektivat e Kombëtares në Ligën e Kombeve, duke shfaqur besim se kuqezinjtë do t’i fitojnë dy ndeshjet me Izraelin dhe Skocinë.

LIDER – “Kam ardhur gjithmonë në Kombëtare për të dhënë maksimumin, por vendimet i merr trajneri. Nuk vij dhe të them se dua të luaj titulluar. Unë jap më të mirën, në mënyrë që të fitoj besimin e trajnerit, për të më aktivizuar në lojë. Mavraj ka më tepër eksperiencë dhe është ai që e ka drejtuar mbrojtjen. Nëse do të luaj unë, do të provoj të jap kontributin tim për të udhëhequr repartin e mbrojtjes”.

RIVALËT – “Nuk kemi parë ende video të kundërshtarëve, por besoj se analizën do ta zhvillojmë këto ditë. Ne që i kemi luajtur dy ndeshjet ndaj Izraelit, i njohim mirë se çfarë ekipi janë. Në analizë do të nxjerrim përfundimet, cilat janë repartet e forta dhe të dobta të atyre”.

PROVOKIMET – “Nuk d të mendojmë për provokimet, si në ndeshjen e parë që humbëm në shtëpi. Përkundrazi, do të synojmë të paraqitemi si në ndeshje në Izrael, ku luajtëm shumë bukur si skuadër dhe fituam si ekip”.

SYNIMI – “Mendoj se do të synojmë të zhvillojmë ndeshje të mirë, por edhe të vazhdojmë më tej. Do ti provojmë të gjitha për ta kaluar grupin në Ligën e Kombeve. Ne si futbollistë, i kemi të qarta objektivat që duam: të arrijmë maksimumin dhe do ta provojmë”.

TRAJNERËT – “Shumë trajnerë janë të ndryshë nga njëri-tjetri, me këtë jam përballur edhe personalisht në vitet e fundit, ku kam ndryshuar disa skuadra. Secili ka karakterin dhe metodat e veta. Gasperini dhe Panuçi janë të ndryshëm në këtë aspekt. Megjithatë, kur jam në Kombëtare jap maksimumin për atë që kërkon Panuçi, ndërsa te Atalanta rreth kërkesave që ka Gasperini”.

OBJEKTIVI – “Kërkojmë t’i fitojmë ndeshjet, të gjithë duan të fitojnë. Është rast i veçantë për ne, për të përmirësuar aty ku gabuam në ndeshjet e fundit. Duam të tregojmë forcën tonë të vërtetë, synojmë ti fitojmë këto dy ndeshje dhe të marrim maksimumin e pikëve”.

KOMBËTARJA – “Qëndrova edhe pse nuk u përzgjodha në Euro 2016? Nuk kam një mesazh për lojtarët që duhet të bëjnë zgjedhje ndërmjet dy apo më tepër përfaqësueseve, sepse çdo njeri vendos për veten dhe karrierën e tij. Unë mora vendimin të qëndroj, sepse e ndjej veten në shtëpi te Shqipëria. Secili e di vetë atë, që do të vendosë. Mund të them se nëse je me Kombëtaren duhet dhënë maksimumi, pavarësisht nëse luan apo jo”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.