Danilo Alvesh shënoi dje golin e parë ndaj Korabit dhe Flamurtari siguroi mbijetesën, por braziliani nuk është i lumtur.
Sërish vuajtje, sërish luftë për qëndrim në Superiore, një turp për Flamurtarin dhe fatkeqësi për Vlorën.
Danilo e pranon dhe lëshon thirrjen, me një postim në Facebooj, ku kërkon ndryshim dhe nxjerrjen e leksioneve të duhura.
“Edhe një sezon për t’u harruar. Është turp që një skuadër si Flamurtari të luftojë për mbijetesë. Presidenti dhe drejtuesit duhet të analizojnë gjithçka ka ndodhur me klubin vitet e fundit, për të përmirësuar gjërat. Sepse jam tepër i lodhur me këtë betejë për mbijetesë, me 3 skuadra të tjera në javën e fundit. Dua të luftoj me skuadrat e kreut, për titull, pasi të gjithë në Vlorë duan të kujtojnë gjëra të mira, jo luftën për mbijetesë. Vlora meriton një titull, njerëzit e presin me padurim, tifozët sërish nuk na braktisën.
Të shpresojmë që nuk do të luftojmë më për mbijetesë dhe sezoni i ardhshëm të jetë ai i ndryshimit të madh.
Falënderoj tifozët, që më kanë mbështetur gjithnjë, që kur kam ardhur në Vlorë.
Kampionati shqiptar humbi një emër të madh si Tirana, le të shërbejë si shembull për klubet e tjerë të mëdhenj në të ardhmen”.