Danilo Alvesh e thotë hapur: Flamurtarin po e vrasin

Pas 3 vitesh në Vlorë, ku u kthye ndër lojtarët më të rëndësishëm, përveçse më të paguar, Danilo Alvesh i ka dhënë lamtumirën Superiores. Braziliani, i cili edhe verën e shkuar shkoi për pak javën në kategorinë e dytë turke, tashmë ka firmosur në Kazakistan, për Okzhetpes.

Një largim i pritshëm, sepse 27-vjeçari nga Baixa Grande ishte i vetmi që nuk toleronte kur bëhej fjalë për pagat e vonuara dhe prej dhjetorit ishte larguar nga Shqipëria, duke refuzuar të kthehej.

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, ka konfirmuar largimin e Danilos, pas zyrtarizimit që i bëri klubi kazak, por duke u munduar të bënte humor, Idrizi deklaroi për mediat se Alvesh do të kthehej sërish në Vlorë, sepse sulmuesi është thjesht përkohësisht në Kazakistan dhe nuk ka ku shkon tjetër.

Gjithsesi, i kontaktuar nga “SportEkspres.com”, vetë Danilo Alvesh nuk ka dëshirë të bëjë humor dhe praktikisht në pak fraza thotë gjithçka në lidhje me Flamurtarin, Idrizin dhe largimin nga Vlora.

“Dhashë më të mirën time për Flamurtarin, por këtë vit situata në klub është shumë e vështirë. Fjalët e Idrizit? Nuk dua të komentoj, sepse nuk kam dëshirë që të nisin batutat në distancë. Megjithatë, në internet lexoj shumë gënjeshtra rreth meje. Nuk duhet besuar gjithçka thuhet e shkruhet”, shprehet braziliani.

Danilo Alvesh ka një koment të qartë për situatën te Flamurtari: “Për fat të keq, po e vrasin Flamurtarin, po i japin fund”. Sulmuesi këtë sezon në Superiore arriti të shënonte 4 gola në 10 ndeshje, një mesatare e mirë na krahasim me çka ai ka bërë sezonet e shkuara me vlonjatët. Tani do provojë të tregojë vlerat e tij në Kazakistan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *