Trajneri i Flamurtarit Ilir Daja ka theksuar se skuadra ka mundësi të rritet akoma dhe më shumë edhe pse skuadra e tij triumfoi 4-0. Për “Supersport” në “Gol pas goli” numri një i stolit vlonjate tregoi dhe problemet që ka pasur gjatë këtij fillimi të sezonit.
“Kishim një situatë jo të mirë psikologjike pas dy humbjeve dhe pse kemi luajtur në transfertë shumë ndeshje. Afrimet nuk kanë qenë aty ku duhet, duke nisur që nga Alla na është dëmtuar, Torasa ka qenë i dëmtuar, Alvesh ka qenë me grip dhe Sirgi u dëmtua po ashtu, pa përmendur Kalenë. Kemi probleme me performacën dhe është normale, pasi kemi luajtur ndaj skuadrave që kanë nisur përgatitjet shumë herët pasi kanë qenë në Kupat e Europës. Kemi pasur lojtarë të rinj në fushë, si Deliaj, Beqaj, që sot kishte ditëlindjen e 20-të. Të gjithë këto faktorë kanë ndikuar tek performanca. Nuk jemi keq me pikët edhe pse nuk kemi bërë më të mirën e duhur”.
“I kemi dhënë mundësi të gjithë grupit. Alvesh është stërvitur vetëm një ditë pasi ka qenë me grip. Përveç modulit duhet të gjejmë dhe lojtarët e përshtatshëm. Nuk i kemi konsoliduar titullarët dhe është problem më vete. Me rikthimet them se do të stabilizohemi. Kemi ndeshje jashtë fushe dhe në fazën e dytë nëse do të kemi më shumë potencial individual them se do të bëjmë më mirë. Nuk na mungojnë pikët por performancë”.
“Torasa i shërben ekipit. Na vjen mirë që shënoi sot dhe uroj të jetë nga pikat tona kryesore si për të shënuar dhe për të shërbyer”.
“Hyseni është vetëm 21 vjeç. Vjet nuk ka pasur minuta dhe tani po aktivizohet si titullar. Ka bërë mirë, por ka akoma dhe më shumë për të dhënë. Useini ka eksperiencë, por në javët e para kemi preferuar një tjetër lloj vendosje me një manovër tjetër. Sot e bëri mirë detyrën që kishte dhe uroj t’i shërbejë ekipet me eksperiencën që ka”.