Daja: Nuk është situatë alarmante, vetëm Partizani ka bërë më mirë

Flamurtari u paraqit mirë në transfertën e fundit me Laçit, por në fund doli duarbosh, pasi kurbinasit morën maksimumin. Kuqezinjtë duan kthesën në Kamzë, teksa do të përballjen me një tjetër skuadër që i mungojnë rezultatet në javët e fundit.

Trajneri Ilir Daja është i vetëdijshëm për vështirësinë e kësaj sfide, por thekson se skuadra, me pak kujdes mund të marrë pikë të plota nga kjo ndeshje. Sa i përket gjendjes së skuadrës, timonieri i Flamurtarit nuk nguron të tregojë dhe mungesat që do të ketë për këtë takim.

NDESHJA – “Kemi një transfertë të vështirë në Kamzë, për vetë faktin se ekipi kundërshtar në ndeshjet e fundit nuk ka pasur një gjendje të mirë dhe kërkon që të rikuperojë gjendjen që ka në tabelën e klasifikimit. Kamza ka një grup lojtarësh me shumë eksperiencë në kampionatin shqiptar, por edhe ne jemi të detyruar që të rikuperojmë pas asaj ndeshjeje në Laç. Në takimin e fundit kemi bërë më mirë se në takimet e tjera sa i përket performancës, por në fund janë pikët ato që vlejnë. Ndaj në Kamzë me shumë kujdes do shkojmë për t’u afruar fitoreve dhe që të vijojmë më pas më të sigurt për pjesën tjetër”.

OBJEKTIVAT – “Përveç Partizanit, që ka bërë maksimumin dhe ka marrë 16 pikë, skuadrat e tjera janë 3 pikë larg. Flas për ata që janë rivalët tanë dhe nuk është diçka për t’u alarmuar. Kemi pasur një kontingjent jo të kompletuar, pasi kemi pasur shumë dëmtime. Nga natyra dua t’i shoh gjërat me optimizëm sepse edhe me këto mangësi, me kontingjentin që kishim, duke mos harruar kontributin me eksperiencë, do të veçoja dhe afrimin e disa lojatareve që tani mund të bëhen pjesë e Flamurtarit si për të luajtur titullar dhe për të rritur konkurrencën në skuadrës”.

MUNGESAT – “Sa i përket mungesave, Alla nisi stërvitjen me grupin dhe përveç Mustafës dhe Sirgit, pjesa tjetër është në dispozicion. Pa llogaritur Kalenë, i cili ende nuk është pjesë e jona”.

NDYSHIMET – “Nuk do të ketë shumë ndryshime, por me rritjen e gjendjes fizike të Torasës dhe Alveshit, ky i fundit mund ta nisë nga fillimi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *