Flamurtari luan nesër me Kukësin prej orës 17:00 në Vlorë, ndërkohë që për trajnerin Ilir Daja mungojnë disa titullarë. Danilo Alvesh nuk është kthyer nga Brazili, kurse Veliu, Torasa dhe Kale janë të pezulluar. Këto mungesa rëndojnë situatën në kampin kuqezi. Gjithashtu shqetëson edhe mesfushori Useini, i cili është në dyshim për këtë takim.
Portieri Enea Koliçi ka dalë sot para mediave dhe thekson se janë gati të ndeshjen me Kukësin. “Kemi një javë që përgatitemi për këtë ndeshje. E dimë që do të jetë e vështirë, por shpresoj që të përsërisim atë takim që kemi bërë fazën e parë këtu në Vlorë dhe të dalim me pikë të plota nga kjo përballje”, tha pogradecari para mediave.
“Mungesat? Është e vërtetë që kemi shumë mungesa në këtë ndeshje, madje shumë të rëndësishme. Shpresoj që edhe ata që do i zëvendësojnë të jenë në ditë të mirë dhe t’i dalim. Nuk janë Torasa, Kale dhe Veliu. Edhe Useini ka një dëmtim dhe është në dyshim”, shtoi Koliçi.
Më tej ai shtoi: “Për mua është thjesht ndeshja e radhës me Kukësin. Lojtarët që kanë ikur kanë qenë të rëndësishëm për ne. Janë afruar Lejdi Liçaj dhe Xhevahir Sukaj, nuk e di nëse klubi ka menduar për ndonjë lëvizje tjetër. Normal që çdo afrim është plus për ekipin. Në fund të sezonit bëhen llogaritë. Situata financiare? Nga ajo që di unë, se nuk më pëlqen të flas për këto çështje, na kanë dhënë garanci që do rregullohen shumë shpejt gjërat”.