Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, i gëzohet vetëm pjesës së dytë në Çeki dhe golit që i shton shpresat Skënderbeut për kualifikim, sepse humbja 2-1 është ndër ato humbje që janë më të mirat të mundshme, nëse duhet humbur.
“Shënimi i golit na jep shansin për të bërë një tjetër paraqitje në Elbasan. Mendoj që kemi shanset tona dhe të dy ekipet kanë mundësi të barabarta për kualifikim”, deklaroi Daja, i cili analizon defektet e skuadrës së tij dhe është i zhgënjyer nga pjesa e parë.
“Nuk e di pse ndeshja filloi ashtu. Duhej të luanim më shpejt, por kishim ritëm shumë të ulët dhe kundërshtari na vuri në vështirësi. Humbëm shumë topa të rrezikshëm afër zonës sonë. Kjo bëri që edhe të mos krijonin raste për shënim.
“Në pjesën e dytë u përmirësuam, fituam shumë territor dhe ishim më kërkues. Arritëm të shënojmë, por humbëm përqendrimin. Nuk është diçka e mirë për ne, duke parë edhe eksperiencën që kemi, ndaj duhet të korrigjohemi sa më shpejt”.