Një ditë përpara ndeshjes ndaj Flamurtarit, trajneri i Skënderbeut Ilir Daja ka dalë përpara gazetarëve në sallën e konferencave për shtyp, duke folur për vlonjatët, konkurrencën, objektivat dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me skuadrën e tij,
NDESHJA HAPËSE – “Kampionati është objektivi ynë kryesor. Flamurtari është një kundërshtar i fortë, por këtë e them në aspekt paragjykimi, sepse nuk kemi informacion për ta në fushë, për vetë faktin se kanë formatuar me 90% ekipin e tyre. Duhet të luajmë mirë, pasi ritmin e duhur e kemi, por dhe të lexojmë lojën në momentet e para. Gjithsesi ne gjithmonë kemi luajtur për fitore dhe këtë do të bëjmë edhe ndaj vlonjatëve”.
MUNGESAT – “I vetmi problem është Gavazaj që do të jetë jashtë, por dhe mungesa e Osmanit që është i dënuar. Pjesa më e madhe e lojtarëve do të jenë ata që kanë luajtur me ne prej kohësh. Ne kemi tre impenjime, kampionat, Europë dhe kupë, që do të thotë se të gjithë do të kenë shanset e tyre, por ne do të presim që lojtarët e rinj të përshtaten me grupin. Skënderbeu është një ekip që ka shumë lojtarë të një niveli shumë të mirë dhe do u duhet të gjithëve që të përballen me rivalitetin. Kjo vlen edhe për Nespor, i cili ka cilësi të mira dhe do të na shërbejë, por ka ikur koha kur një lojtar sa zbret nga avioni hyn në fushë. Lojtarit i duhet pak kohë të ingranohet me grupin.
FRIKA NGA HATËRMBETJET – “Çdo lojtar që nuk luan dhe ai që përfundon në tribunë natyrshëm që do të ketë njëfarë çmotivimi dhe nëse kjo do të ndodhë do të jetë në dëm të ekipit. Por ne do të mundohemi që të ketë sa më pak lojtarë të demotivuar, pasi do të mundohemi t’u japim të gjithëve atë që u takon”.