Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, foli dje në konferencën e zakonshme për shtyp para ndeshjes, duke pasur në krah Liridon Latifin.
“Është një ndeshje e vështirë. Mlada ka shumë kualitet dhe luan shumë mirë në grup, por edhe ne kemi kualitetet tona dhe kemi ardhur të luajmë lojën tonë. Pjesë e Skënderbeut janë lojtarë shumë të mirë. E kemi studiuar mirë kundërshtarin dhe e dimë mirë, ku i ka pikat e dobëta. Ne kemi marrë informacionet e duhura për Mladën dhe futemi ne fushën e lojës të qetë dhe me besim se do të arrijmë suksesin që duam. Futbolli shqiptar është në rritje, siç e tregon arritja e kombëtares vitin e shkuar, apo kualifikimi i Skënderbeut në grupet e Europa League”, deklaroi trajneri i korçarëve.
Optimist edhe Latifi: “Kemi parë shumë ndeshje të Mlada Boleslavit në video, ndaj mendoj se jemi të përgatitur. Barazimi është rezultat i mirë, por për ne fitorja mbetet synim në çdo ndeshje”.