Arbër Çyrbja u transferua këtë verë nga Teuta te Kukësi. Verilindorët paguan jo pak, por plot 50 mijë euro për kartonin e anësorit. Deri më tani ai nuk ka qenë në lartësinë që të gjithë prisnin dhe vetë lojtari jep një shpjegim për arsyet se pse ende nuk është në maksimumin e tij.
“Çdo lojtar lëvizjen e parë e ka pak të vështirë sa të ambientohet, si me klubin, ashtu edhe me lojtarët. Nuk jam ende në maksimumin tim. Shpresoj se shumë shpejt e do arrij dhe të tregoj se kush jam, në mënyrë që të ndihmoj ekipin”, u shpreh durrsaku në konferencën e sotme për shtyp.
LUFTËTARI – Më pas ai foli për ndeshjen e radhës me gjirokastritët: “Është një ndeshje shumë e vështirë, pasi Luftëtari është një ekip që luan futboll të bukur. Si me ata, si me të tjerët, ne luajmë për tre pikë”.
LARGIMI I MUSOLLIT – Çyrbja është pyetur edhe për atmosferën në ekip pas largimit të Musollit, por edhe për incidentin që ndodhi me Rexhinaldon në ndeshjen e fundit me Kamzën. “Çunat kanë raport të mirë me njëri-tjetrin. Për Musollin tani e morëm vesh edhe ne. Çdokush nuk e përjeton mirë, pasi ai është lojtari me më shumë këtu. Sa i takon Rexhinaldos, ai kishte një problem me shokun e vet. Ishte një keqkuptim, jo diçka serioze”.
I pyetur se si përjetohet te lojtarët fakti që ndërpritet kontrata me një lojtar pas dëmtimit, Çyrbja tha: “Nuk është diçka e mirë, por besoj se Musolli ka një marrëdhënie shumë të mirë me presidentin dhe besoj se kanë qenë të dy palët dakord që kjo marrëveshje të vazhdonte”.