Cungu: Nuk na pyet asnjë, mos e bëni tragjike penalltinë e Rexhinaldos

Kukësi po përgatitet për ndeshjen kundër Teutës, që zhvillohet të hënën në orën 14:00. Verilindorët vijnë në këtë takim si vendas, por stadiumi i tyre nuk është ende gati. Përballja do të zhvillohet në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe trajneri shkodran fton tifozët të mbështesin ekipin.

Trajneri ndalet në shumë tema në konferencën për shtyp, duke e nisur nga kundërshtari i radhës, problemet e gjetjes së një stadiumi, Rexhinaldo, arbitrat dhe presioni i rezultateve. Kukësi ndodhet në vendin e pestë, me një pikë më pak se Teuta dhe objektivi i momentit është fitorja dhe parakalimi i durrsakëve në renditje.

KUNDËRSHTARI – “Jo vetëm Teuta, por nuk ka ekipe të lehta në Superiore. Duhet të djersitësh dhe të jesh serioz për të fituar. Natyrshëm nuk do të jetë ndeshje e lehtë, por nuk është e pamundur për ne të fitojmë.”

NDRYSHIMI I STADIUMEVE – “Prish punë, është e disata herë që e theksojmë. Kur nuk ke një stadium tëndin për të luajtur, është një mungesë jo e vogël. Megjithatë këto janë kushtet dhe duhet të shohim përpara. Është konfirmuar që do luhet në “Selman Stërmasi” dhe i ftoj tifozët të na mbështesin. Dy javët e fundit kanë qenë më të shumtë, por ne nuk ia kemi dhënë kënaqësinë”.

TEUTA NË FORMË TË MIRË – “E thashë përpara, nuk është e lehtë të fitosh në kampionat. Po ndërrohet vendet shpesh, çka tregon se ka rivalitet. Lihet dhe merret pikë me çdokënd. Duhet të jemi seriozë dhe të japim maksimumin. Mundësitë i kemi të marrim tre pikët”.

GJENDJA E TAPETIT – “Jemi në një situatë ku nuk na pyet asnjë, duke nisur që nga fillimi i sezonit. Pas ndeshjes me Torpedon deri në 9 të darkës, kur ekipi shpenzoi shumë energji dhe bëri një ndeshje shumë të mirë, për kam ishim edhe në turin e katërt. Pa u bërë dy ditë e gjysmë, luajtëm në 2 të drekës me Laçin dhe nuk u kujtua asnjë për ta shtyrë ndeshjen të paktën me 24 orë. Këto janë situata që nuk i vendosëm ne. Ne na takon të shohim fushën e stërvitjes dhe të ndeshjes”.

REXHINALDO – “Ka dalë në stërvitje dhe do jetë nesër. Jam i bindur se kërkon dhe jep maksimumin në çdo ndeshje. Urojmë të zhbllokohet, pasi ka nevojë. Penalltia? Nuk do ta quaj gabim, sepse është godit më tepër se duhet. I ndodh kujtdo. Ai ka gjuajtur sistematikisht dhe ka qenë pozitiv. Humbi një mundësi, por nuk duhet bërë tragjike. Me rëndësi është të jetë serioz, përkushtohet shumë edhe në stërvitje. Janë momente ngërçi që u ndodh edhe sulmuesve më të mëdhenj”.

ÇFARË I MUNGON KUKËSIT – “Jemi herët për të folur. Ekipi është i ri. Vetëm Shameti është nga vjet, është ekip i bërë . Mbrojtësit janë të ardhur, kanë kualitet. Por kanë mundësi edhe të mësojnë. Edhe stadiumi ka ndikimin e vet, e kam thënë. mentaliteti është se po shkojmë të luajmë jashtë. Po të kishim pasur stadiumin tonë, do kishim 5-6 pikë”.

GJYKIMI – “Ka momente që edhe ne e humbim qetësinë për arsye të ndryshme. Nuk më takon të merrem me ta, por të merrem me ekipin. Pjesa e gjyqtarëve u takon drejtuesve dhe klubit. Ata kanë kompetencat. Natyrshëm mund të ketë kontestime, por i përkasin të shkuarës”.

PRESIONI NË SKUADËR – “Detyrim janë tre pikët në çdo ndeshje. Sa më shumë pikë mbledh, aq më lart je. Dy ndeshjet e fundit nuk ishin ato që duhet sa i takon rezultateve. Ka kampionat përpara, do gabojnë rivalët. Ne duhet të jemi sa më shumë seriozë dhe të gabojmë sa më pak për t’iu afruar dy vendeve të para.

NGËRÇI I FINALIZIMIT – “E thashë që ekipi është i ri. Kur kam ardhur ka pasur edhe ngërç loje, sot flasim për një Kukës që bën lojë dhe krijon raste. Nuk shënojmë dhe janë shumë faktorë që ndikojnë. Duhet kohë. Pse flasim për një Skënderbe kampion? Sepse kanë luajtur për 5-6 vite bashkë. Patjetër që duhet më shumë personalitet dhe më shumë përgjegjësi sa i përket momenteve që na shfaqen për të shënuar. Futbolli nuk është basketboll, të shkosh 100 herë në tabelë. Në futboll ke 2 raste dhe duhet të jesh pragmatist për të shënuar”.

AFRIMËT QË NUK LUAJNË – “Nuk kanë qenë të dubluara pozicionet kur kam ardhur, por ka pasur pozonte të shterpëta. Ka pasur shumë lojtarë për krahët e sulmit. E thashë që kam marr përsipër aq sa më takon. Nuk dua të gjejmë justifikime, por duhet të marrim përgjegjësi për t’u rritur në rezultate dhe në tabelë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *